Blitz

 Breaking News

Lufta e Kosovës, dhimbja dhe terrori që la pas. 4 rrëfime të treguara në media, nga personazhe të njohur e të panjohur

Lufta e Kosovës, dhimbja dhe terrori që la pas. 4 rrëfime të treguara në media, nga personazhe të njohur e të panjohur
October 19
19:15 2018

Ditët e fundit janë rikthyer në kujtesën tonë ngjarje të kobshme të luftës së Kosovës, histori të frikshme të rrëfyer nga njerëz që i kanë mbijetuar tmerrit, kanë prekur fundin por që kanë arritur t’ja dalin e të gjejnë forcën për të vazhduar përpara.

Duke lexuar historitë e disa të mbijetuarëve të luftës së Kosovës,  lexova ankthin midis rrëfimeve, humbjen dhe rikthimin e shpresës në njerëz që vuanin, që ishin detyruar të thonin lamtumirë për së gjalli fëmijëve, gruas, nënës, babait.

Historia e Vasfije Krasniqi Goodman

Vasfije Krasniqi doli pak ditë më parë në televizion dhe mori guximin të tregonte ferrin e përjetuar duke rrëfyer se ishte viktimë e përdhunimit nga dy oficerë serbë gjatë luftës së Kosovës. Vasfije Krasniqi Goodman, vendosi të thyejë tabutë e ta rrëfejë publikisht ndodhinë e shndërruar në një barrë tepër të madhe për ta mbajtur vetëm gjithë jetën. 36-vjeçarja jeton sot në Teksas të Shteteve të Bashkuara. Kur ishte vetëm 16 vjeç, Vasfija u përdhunua nga dy serbë, njëri prej të cilëve polic i regjimit të Sllobodan Millosheviçit. Në rrëfimin rrënqethës, gruaja e pati të pamundur t’i mbajë lotët, si për të treguar kështu se ajo ngjarje e ka shenjuar përjetë dhe se çfarë lufte i është dashur të bëjë me veten për të hedhur një hap kaq të guximshëm.

Vasfija shpjegoi në detaje si e morën nga shtëpia nën kërcënimin e armëve, si kishte dashur aq shumë të vdiste në ato momente dhe përse polici serb nuk e vrau.

“Ai hyri brenda dhe më pastaj më mori mua, më tha se do të shkojmë për të dhënë deklaratë në polici. Nuk doja të shkoja, por ai më kapi dhe më futi në makinë.”-tregon Krasniqi Goodamn dhe gjithashtu pranon se e kishte kuptuar që diçka e keqe do ti ndodhte në momentin kur pa që makina nuk po drejtohej për në stacionin e policisë por diku tjetër.

“Makina vazhdoi në drejtim të Pishtinës. Unë e dija, por se kuptoja se çfarë do të ndodhte me mua sepse unë kam qenë fëmijë, 16 vjeç. Në atë moment unë vetëm doja të vdisja me një plumb dhe kurgjo tjetër. Veç me më vra”- rrëfeu ajo me lot në sy. “E ka ndal kerrin dhe më ka detyruar me dalë prej kerrit. Më ka gjuajtur dhe çfarë ka ndodhur pastaj nuk mundesh me marrë me mend. E ka pasur dorën të lidhur, dorën e majtë. Ai thoshte: “Ja, këtë ma kanë bërë babai dhe vëllezërit e tu dhe tani do ta paguash ti”. Unë doja vetëm që të më vriste”, tregon gruaja.

Historia e Mentoz Hazirit

Një tjetër histori e dhimbshme është rrëfyer dy ditë më parë nga Mentor Haziri tek “Rudina”. Dëbimet dhe ekzekutimet nga ushtarët serbë ende qëndrojnë në plagët e të gjithë kosovarëve, të familjarëve edhe të vetë Mentorit.

“Në kohën e luftës kur filluan bombardimet ne ikëm në një fshat në Kosovë dhe 2 javë më vonë filluan të na sulmojnë forcat serbe. Në orën 08:00 të mëngjesit kemi dalë 500 veta në mal dhe aty na kanë kapur të gjithëve, na kanë mbajtur disa orë dhe na kanë plaçkitur. Më pas na vunë në rend për të na vrarë, ndanë burrat veç dhe gratë veç dhe prisnin urdhër për të na vrarë. Është histori shumë e dhimbshme. Në ato momente ajo çfarë mendon një njeri është që të vdesë i pari që të mos shohë se çfarë do të ndodhë. Lutesha të vdisja i pari. Por 500 veta nuk mundën të na vrasin, sepse do të ishte masakër e madhe, nuk morën urdhër për të na vrarë. Na nxorrën në autostradë dhe aty unë jam ndarë nga familja ime. Mua më kanë ngritur në tren dhe kam qëndruar për një muaj në Maqedoni dhe kam punuar për refugjatë të tjerë. Deri kur është çliruar Kosova nuk kam patur asnjë kontakt me familjen time dhe nuk kam ditur asgjë për ta.”- u shpreh Mentori.

Historia e Leonora Jakupit dhe familjes Qerkezi

Programi “Dua të të bëj të lumtur” na riktheu pas në kohë duke na rikujtuar luftën e përgjakshme të Kosovës dhe plagët e lëna pas prej saj gjithashtu. Sezonin e kaluar u trajtua historia e dhimbshme e nënë Ferdonijes dhe familjes së saj, një familje e cila tashmë jeton vetëm nëpërmjet kujtimeve të nënës. Familja Qerkezi përbëhej nga gjashtë anëtarë, nënë Ferdonija, katër djemtë dhe bashkëshorti i saj Halimi. Një ditë në marsin e vitit 1999 në derën e familjes Qerkezi kish trokitur policia serbe për të bërë një kontroll rutinë me arsyen se aty strehoheshin refugjatë lufte. Po atë ditë policia serbe ishte rikthyer e maskuar dhe kishte hyrë me dhunë në shtëpi duke marrë me forcë burrat e familjes. Pas disa vitesh nënë Ferdonija mori lajmin e kobshëm se asnjëri prej tyre nuk jetonte më. këngëtarja Leonora Jakupi ishte e ftuara surprizë mbrëmjen e sotme në programin “Dua të të bëj të lumtur”, për nënë Ferdonijen. Ashtu si nënë Ferdonija edhe këngëtarja Leonora Jakupi në luftën e Kosovës ka humbur disa nga anëtarët e familjes, midis tyre edhe babanë. Ajo ishte e prekur gjatë gjithë kohës që u tregua historia dhe shpërtheu në lot kur u takua me nënë Ferdonijen. Këngëtarja tha: “Unë nuk mund të të jap këshilla ty sepse ti ke qenë një nënë e fortë edhe vazhdon të jesh e tillë.”

“Fatkeqësia ime më e madhe është humbja e babit tim. Ajo është një tronditje e madhe për mua dhe për familjen time. Çdo herë kur e kujtoj më këput shpirtin. Le ta vendose çdo kush dorën në zemër dhe të kujtoj veten në pozitën time. Por jeta duhet vazhduar, por babi im do të jetë gjithnjë në shpirtin tim”.

Historia e Sherife Luta, fotografia e së cilës qarkulloi në gjithë botën

Fotografi boshnjak Damir Sagolj, i cili punon për Reuters, gjatë periudhës së luftës në Kosovë, kishte shkrepur fotografi të cilat pasqyronin gjendjen reale të luftës dhe terrorin që po përjetonin popullata.

Në fotografinë e bërë nga Sagolj, shihet një kolonë e gjatë banorësh të Kaçanikut por që në fokus ka një grua me një shami të bardhë në kokë, ndërsa mbante në gjirin e saj një foshnje. Në fytyrën e saj shihet frika dhe zemërimi.

Në një rrëfim të mëvonshëm u zbulua se gruaja quhet Sherife Luta e cila i kishte mbijetuar shumë mirë asaj kohe, ndërsa foshnja që mbante në duar, thënë më mirë vajza e saj, tani është rritur dhe ndonëse atë kohë nuk kishte ditur asgjë se çfarë ishte duke ndodhur. Ajo nuk e imagjinon dot, se vet ka qenë protagoniste e një fotografie e cila ka qenë pjesë kryesore në mediat botërore gjatë asaj periudhe.

“Me 8 Mars në vitin 1999 herët në mëngjes jemi shpërngulur nga shtëpia dhe ju kemi bashkangjitur banorëve ku kemi qëndruar në mal një natë. Pas një nate prapë kemi ikur në kolona ku tek tuneli i Kaçanikut na kanë ndalë Policia dhe na kanë ndarë gratë dhe burrat e më pas na liruan. Më pas kemi shkuar në fshatin Frunevë ku kemi qëndruar një natë dhe më pas ka ardhur burri e na ka marrë dhe kështu kemi vazhduar të ecim e po ashtu babai im më tha se do të vinte me mua pasi që burri im u nda dhe unë u mërzita por babai më tha se dikush duhet të luftoj për vendin”, ka thënë ajo duke kujtuar atë kohë.

Burri i Sherifes, Mirvat Luta i cili ka qenë në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, rrëfehet për ndarjen nga familja dhe përjetimeve pasi që ishte plagosur në front.

Kam qenë pjesëtar i Ushtrisë dhe gjithmonë ishim të përgatitur, por me 8 Mars na gjetën në befasi. Pati një ofensivë të madhe dhe shumë të tmerrshme. U detyruam të largoheshim me familje. Pastaj me 9 Mars kemi qenë në koordinim me OSBE-në ku na kanë strehuar dhe kemi qëndruar në një mal. Më pas është dashur të shpërndahemi sepse ishte rrezik dhe kur kemi ardhur në Kaçanik aty ishte ndarja me familje. Ishte ndjenjë tejet e vështirë por ne ishim në UÇK dhe duhej të luftonim për vendin. “Nuk doja të ndahesha edhe pse e kisha këmbën e plagosur. Po ashtu nuk kam ditur asgjë për familjen ku kanë shkuar dhe a janë gjallë. Pas tre muajsh i kam takuar”, ka thënë ai duke treguar që kishin bartur shumë njerëz të plagosur.

/Blitz.al/

Share