Blitz

 Breaking News

Kënga Magjike 2018, java e dytë: “Lajmi i mirë dhe lajmi i keq”

Kënga Magjike 2018, java e dytë: “Lajmi i mirë dhe lajmi i keq”
October 15
17:22 2018

Këtë javë të dytë të prezantimit të projekteve për në festival, lajmi më i madh ishte ndryshimi i orarit, pra tani këngëtarët vinin pas edicionit të lajmeve dhe jo mbasdite në orën 6. Nuk e di kush mund të ketë nerva të dëgjojë artistët dhe prezantimet e tyre pas edicionit të lajmeve me Drini Zeqon po gjithsesi meqë e duam si format, ju ndjekim, ju shohim. Bora Zemani vazhdon të prezantojë mirë kështu që presim me padurim momentin që të bëjë ndonjë gabim se nuk shtyhet kështu.

Pa humbur kohë, ata që u prezantuan dje dhe mendimet e mia për ta janë:

Artistët Big

Stresi-Të du mom

Ndoshta hera e parë që e kuptoj pse një reper merr pjesë te Knëga Magjike. Lloji i këngës është i tillë që i shkon pjesmarrja në një festival , për shkak të mënyrës si tingëllon dhe mesazhit që përcjell. Produksioni i mirë dhe sigurisht, është një krijim për nënat shqiptare, kështu që do ketë vetëm reagime pozitive. Nuk mund të mos i vija re disa rrjeshta të përsëritura nga këngë të mëparshme të Stresit por që i shkonin këtij projekti kështu që nuk binin shumë në sy. Në përgjithsësi diçka ndryshe dhe pozitive.

Lajmi i mirë: Stresi bën “pushim” nga këngët me armë dhe drogë, përcjell një mesazh pozitiv sidomos për të rinjtë që e ndjekin, dhe nuk ka skenë më të mirë për këtë se Kënga Magjike.

Lajmi i keq: Do fitojë “Best Hip Hop Artist” jo për shkak të cilësisë së projektit por se me shumë mundësi se do jetë i vetmi reper që do marrë pjesë. Ndoshta kësaj rradhe mund të marri ndonjë çmim tjetër, mos u bëni të parashikueshëm .

Erik LLoshi-Mos urre

Një projekt i realizuar nga Kledi Bahiti dhe me tekst të Rozana Radit, kombinim që më përpara ka fituar festivalin.  Bashkuar dhe me zërin e Erikut kënga nuk kishte si të mos dilte e bukur. Dhe në fakt është një traditë që vazhdon e këtij këngëtari sepse vitet e fundit nuk po gabon me pjesmarrjen në Këngë Magjike, gjithmonë ka dalë me një cmmim ose një hit. Edhe mesazhi fundja fare është pozitiv se thotë “Mos urre”, në një dashuri sido që shkon, nuk duhet të urresh.

Lajmi i mirë: Eriku shfrytëzon në maksimum aftësinë e tij si këngëtar dhe produksionin që ka zgjedhur për të në sjellë një projekt realisht të bukur.

Lajmi i keq: Sa do dali të vlerësohet në fund ashtu si duhet, jo nga publiku dmth, nga festivali, mbetet për tu parë.

Kelly-Ma ka fajin zemra

Siç u pa dhe nga prezantimi në skenë është një këngë tipike vjeshte. Projekt dashurie nga Gent Myftaraj, më saktë një zhgënjimi dashurie por jo baladë. Kjo e bën më të bukur sepse është energjike dhe moderne. Zëri i veçantë I Kellyt shkon shumë me këngën në tërësi. Të bën të kërcesh dhe të këndosh së bashku me ritimin kështu që punë e mirë. Ndoshta mund të kishte punuar paaak më shumë me tekstin ose fundja të kishte bashkëpunuar me një tekstshkrues por ky është vetëm mendimi im.

Lajmi i mirë: Viti i dytë rradhazi që Kelly vjen me një prezantim të mirë por kësaj rradhe vjen akoma më ndryshe se viti i kaluar. Nje prezantim më i plotësuar dhe me detaje të kuruara ne performancë, një Kelly që do ta donin të gjithë.

Lajmi i keq: S’e dimë sa është e mundur që artisti të vijë me një baladë ose bashkëpunim si ai me Upstream i disa viteve më parë. Duhet ti kthehet dhe një herë atij lloj zhanri, të paktën dhe një herë në të ardhmen.

 

New Artist

Laorjan Ejlli-Fukara

Një zë i bukur, por nuk është çudi sepse “new artisti” në fakt është artist profesionist. Një këngë me emrin “Fukara” mund të prisnim ta dëgjonim nga një korçar por ja që Laorjani është shkodran. Madje pak më shumë shkodran seç duhet, në prezantim dhe në këngë. Ritmi dhe muzika e veçantë, ndoshta ishte më e ngarkuar seç duhet.  “Orkestra” dhe instrumenistët shumë interesantë.

Lajmi i mirë: Një artist i mirëfilltë me instrumentistë dukshëm profesionistë që bëjnë debutimin në “Këngë Magjike”, ku ka më mirë.

Lajmi i keq: Armend Rexhepagiqi i dha ngjyrën e kuqe për shkak të tekstit dhe muzikës të përseritur, kritika deri diku me vend.

Lidia Lufi

Në fakt më pëlqen rryma që prezanon në festival dhe më shumë rrymat që preferon të këndojë (Soul, RnB, Jazz, Funk). Një tjetër shkodrane që sjell artin e saj në New Artist gjithashtu. Zëri i saj ishte fantastik, një super kontroll në çdo moment të këngës. Më pëlqeu dhe “hook-u” i këngës i cili ishtë anglisht. Gjithsesi mu duk sikur kishte më shumë ndikim seç duhet nga “Florence and the machine”. Teksti shumë përgjithësueses dhe nuk i drejtohet një kategorie të caktuar, për mua kjo është gabim.

Lajmi i mirë: Mund të jetë fillimi i karrierës i një këngëtarje shumë të veçantë ky prezantim. Mos u çudisni po ta shihni me një band në të ardhmen duke bërë ture e duke kënduar muzikë funk.

Lajmi i keq: Nëse ishte lajm i keq vota e Armend Rexhepagiqit për këngëtarin më lartë, për Lidian është akoma më shumë sepse ky është zhanri i preferuar i antarit të jurisë. I japim të drejtë kur thotë që kënga nuk është e qartë për kë është bërë dhe kush janë fansat që do ta këndojnë.

Andi Stafuka- Të huaj

Prezantim kurajoz në Këngë Magjike me një këngë që kishte nota ndoshta më të larta seç duhet për artistin. Patjetër që problemet me zërin mund të kenë qenë si pasojë e emocioneve apo debutimit në skenë por gjithsesi këtë rradhë ashtu si antarët e jurisë e mbyllim një sy sepse e kompenson kënga. Kjo e fundit ishte me të vërtetë e bukur, me pjesë energjike, refreni shpërthyes dhe gjithashtu pjesët e qeta po të ishin kënduar si duhet, ishin interesante. Në tërësi prezantim dinjitoz madje më shumë se kaq, me potencial për të qenë një sukses.

Lajmi i mirë: Duke gjykuar nga notat e larta që donte të kapte dhe stili i këngës mund të jetë fymëzuar pak dhe nga “The Weeknd”, por kujdes nuk e ka kopjuar, më pëlqeu kjo.

Lajmi i keq: Duhet të bëjë një prezantim tjetër për sa i përket të kënduarit live nëse ja del të shkojë deri në “Pallatin e Koncerteve” sepse do ishte mëkat nëse nuk ja dilte me një këngë të realizuar kaq mire.

/Blitz.al/

Share