Blitz

 Breaking News

Dua Lipa flet për fëmijërinë në Kosovë: “Ishte e vështirë”

Dua Lipa flet për fëmijërinë në Kosovë: “Ishte e vështirë”
April 09
20:06 2019

Dua Lipa magjepsi kopertinën e revistës “Elle”, ku në brendësi foli për shumë detaje interesante të jetës së saj. Dhe sigurisht nuk mund të mungonte dhe një rrëfim për Kosovën dhe origjinën.

“Lindur në Londër nga prindër shqiptarë nga Kosova, Lipa ka qenë e destinuar të bënte muzikë. Babai i saj, Dukagjin Lipa, ishte një roker kosovar përpara se të shpërngulej në Angli.”- shkruan revista Elle.

“Përpara luftës, mamaja ime studionte për drejtësi. Babai im bënte muzikë dhe studionte për stomatologji. Në Londër, prindërit e mi punonin në kafene dhe bare, dhe babai im shkonte në universitet në të njëjtën kohë. Një gjë që kam mësuar nga prindërit e mi ishte se përshtateshin me mjedisin që i rrethonte pavarësisht çdo gjëje.”

Më pas kur ishte 11 vjeç, babai i Dua Lipas përfitoi një punë marketingu në Kosovë dhe ajo ishte e emocionuar të rikthehej te të afërmit:

“Mendoja: “Oh më në fund do ma thonë emrin siç duhet.” Por shkolla ishte e vështirë dhe të bëje miq ishte akoma më e vështirë. Isha vajza që fliste shqip me theks anglez. Nuk isha e mirë në nota sepse të gjithë në Kosovë po mësonin algjebër dhe kimi, ndërsa unë isha akoma te thyesat. Ata fëmijë ishin shumë të zgjuar. Mua m’u desh pak kohë.”

Dua Lipa jeton në Londër, por sa e lidhur ndihet me Kosovën?

“Kosova më ka përkufizuar goxha. Kemi një shpirt komunitar të çmendur. Njerëzit i dinë punët e tua përpara teje, por ata gjithnjë më kanë treguar shumë dashuri. Dikush më tha në një intervistë, “Ke etikën e punës të një emigranteje” por ka të bëjë më shumë me idenë se do të merresh seriozisht. Për të qenit nga Kosova ose Shqipëria, ka një paragjykim. Në filma, çdo shqiptar bën pjesë në mafia. Po mundohemi të ndryshojmë çfarë njerëzit mendojnë për vendin tonë.”- ka përfunduar këngëtarja.

E në fakt, me kalimin e kohës dhe me lulëzimin e talenteve shqiptare nëpër botë, emri i vendit tonë po ngrihet lart e më lart. /Blitz.al/

Share