Blitz

 Breaking News

(Video) Kur fjalët e Thomas Strakoshës prekin Agron Llakajn: “Ndihem i përkëdhelur, kam gëzim prej fëmije”

(Video) Kur fjalët e Thomas Strakoshës prekin Agron Llakajn: “Ndihem i përkëdhelur, kam gëzim prej fëmije”
August 18
10:39 2017

Agron Llakajn, një ndër aktorët e humorit më të dashur për publikun shqiptar, e shohim prej vitesh në ekran e falë tij të gjithë kanë fituar shumë të qeshura dhe emocione javë pas jave.

Komplimentet për punën e tij i vijnë pas çdo daljeje në ekran apo pas çdo postimi në rrjetet sociale, por ka qenë një vlerësim special i ardhur nga Italia ai që e ka emocionuar së tepërmi.

Bëhet fjalë për Thomas Strakoshën, djalin e legjendës së portës së Kombëtares sonë, Foto Strakosha.

Në një intervistë të dhënë për televizionin që i përket skuadrës së tij të Lazio-s, portieri i të kaltërve ka folur edhe për jetën e tij jashtë fushës së blertë.

Një nga pyetjet që i ka bërë drejtuesi i intervistës ishte se çfarë i pëlqente të bënte në kohën e lirë, kur nuk stërvitej.

“Më pëlqen të shoh komedi ose të dëgjoj muzikë, sepse më pëlqen të jem i lumtur”, – është shprehur portieri i talentuar shqiptar.

Në vazhdim, pyetjes se cili është aktori i tij i preferuar, Thomasi i është përgjigjur:

“Është një aktor komik shqiptar i cili më pëlqen shumë. Quhet Agron Llakaj”.

Kanë qenë këto fjalët që kanë prekur aktorin, i cili kësaj përgjigjeje dhe portierit i ka kushtuar një shkrim në profilin e tij në Facebook, ku shprehet:

“Dikur ishte i vogël dhe qeshte edhe kot me mua, se s’kuptonte mirë çfarë thosha, por shikonte prindërit e tij që qeshnin, qeshte edhe ky! Tomas Strakosha sot legjendë, krenar për ty Tomas, si unë dhe çdo shqiptar! Sa i përkëdhelur ndihem që nga goja jote të dëgjoj se jam komiku yt i preferuar! Kam një gëzim prej fëmije… e shijoj!” – ka shkruar Agron Llakaj, të cilin rrallë e kemi parë të shprehet në këtë formë kaq i emocionuar. /Blitz.al/

Share