Blitz

 Breaking News

“Se kuptoj pse gëzohem që s’vdes”- Një vit pas ndarjes nga jeta të së bijës, Çun Lajçi i dedikon poezinë emocionuese Bubulinës

“Se kuptoj pse gëzohem që s’vdes”- Një vit pas ndarjes nga jeta të së bijës, Çun Lajçi i dedikon poezinë emocionuese Bubulinës
November 19
16:26 2018

Një vit pas ndarjes nga jeta të së bijës, aktori i njohur Çun Lajçi i dedikon asaj një poezi emocionuese.

Aktori zgjodhi ta ndajë poezinë me miqtë e tij nëpërmjet një postimi në profilin e tij në “Facebook”.

Vargjet rrëfejnë gjithë dhimbjen e vuajtjen e tij si baba gjatë këtij viti ku i është dashur të përballet me mungesën e së bijës.

Poezia është e përfshirë gjithashtu në librin e tij të fundit, i cili është i gjithi një dedikim për të bijën, në përvjetorin e parë të vdekjes së saj.
Libri titullohet “Bubulinë, ti letër e pashkrueme” dhe promovimi i tij bëhet ditën e nesërme, në Bibliotekën Kombëtare, në Prishtinë.

Vajza e aktorit të njohur, Bubulina, vdiq një vit më parë nga mbidoza, ndërsa aktori ishte larg vendit për një projekt artistik.

Më poshtë, poezia e plotë e Çun Lajçit.

BUBULINË

Sot nji vit ike
S’me prite të kthehem nga rrugë e largët
Tani m’thoni 
Si të çmësohem me buzëqeshjen e saj
E t’eci krenarë me dhimbje nën sqetull?!

Po mirake
Jerusalemi qeshi kur shqip fole:
“Jezunë du me prekë e shtrat i tij m’u ba”
Adeeb Joudeh ta hapi derën
e t’shenjtës “Sepulchre” atë mëngjes korriku
diell i përvëluem zemre
Ti ece temjanit, unë pas xhamive
ku myezinët lëshonin zá
kur u ktheva,Sepulchre mshelë ishte
Ti s’dole ma!
Unë
i vetmuem n’qytetin plot jetë
i mërdhimë n’prushin e mbuluem me hi
dëshpërue nga lumtuni korriku
zjarm andrrash futa n’gji

E shkurtë dita për vetëvrasje
Nata e gjatë për dashuni

S’e kuptoj pse gëzohem që s’vdes
e pse jetoj në këtë botë me përralla
Zot
çka t’baj me Ninin që larg meje leh
e Bubën që varun m’rri mbi qepalla

/blitz.al/
Share