Blitz

 Breaking News

“Rrëmbehu nga Shqipëria”, një video-reagim ndaj filmit të famshëm “Taken” dhe aktorit Liam Neeson

“Rrëmbehu nga Shqipëria”, një video-reagim ndaj filmit të famshëm “Taken” dhe aktorit Liam Neeson
February 24
10:41 2019

Trilogjia e filmave “Taken” bën pjesë në listën e filmave më të suksesshëm aksion falë shikueshmërisë dhe përfitimeve të mëdha. Projekti që është realizim i Luc Besson dhe Robert Mark Kamen, ka në rolin kryesor aktorin e famshëm, Liam Neeson, një ish-agjent i CIA-s të cilit (në filmin e parë “Taken) i rrëmbehet vajza në Francë nga disa trafikantë shqiptarë që udhëhiqen nga Marko Hoxha (“Marko nga Tropoja”) në rolin e të cilit është aktori shqiptar, Arben Bajraktaraj.

Filmi i dytë (“Taken 2”) vë në spikatje hakmarrjen shqiptare, ku gruaja e Bryan Mills (aktorit Liam Neeson) rrëmbehet dhe tentohet të rrëmbehet edhe vajza e tij. Në atë film, babai i Markos, Murad Hoxha (që luhet nga aktori serb Rade Serbedzija) e ndjek familjen e Mills në Turqi që të hakmerret për vrasjen e djalin.

Prezantimi i shqiptarëve si kriminelë, banditë, vrasës e rrëmbyes, padyshim që nxiti reagime të shumta në kohën kur u lançuan filmat.

Ndërkohë që, një fushatë e ndërmarrë sëfundmi e ka shfrytëzuar pikërisht këtë mendim të krijuar ndaj shqiptarëve për të realizuar një kundëreagim e për t’ia treguar botës kulturën, traditën dhe bukuritë e Shqipërisë, nëpërmjet një videoje të quajtur “Rrëmbehu nga Shqipëria”.

Videoja nis me aktorin Florian Binaj, ndërsa pjesë e klipit është edhe ministri shqiptar i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, këngëtarja Kanita dhe Era Rusi, Alban Ramosaj.

Me moton “do të rrëmbehesh nga Shqipëria” në video tregohet bukuria natyrore, tradita, kultura, historia, ushqimi, mikpritja shqiptare.

Klipi përmbyllet me aktorin Arben Bajraktaraj, i cili luan rolin e “Marko from Tropoja” në filmin e famshëm, ku thotë se shtëpia e një shqiptari i takon Zotit dhe mysafirit.

“Në kulturën e përgjithshme, Shqipëria është etiketuar si një strehë për bandat, kriminelët dhe gansterët. Ndërkohë që e kuptojmë se përceptimi i marrë nga filmat e mirë si Taken (2008), kjo është tërësisht e pavërtetë. Në realitet, Shqipëria është nje vend i bukur dhe tepër i sigurtë për t’u vizituar dhe jetuar. Prandaj ne filluam këtë fushatë për të apeluar personalisht aktorin e famshëm të Taken z. Liam Neeson.”-shkruan aktori Florjan Binaj në mbishkrimin që shoqëron videon e publikuar në profilin e tij në Instagram.

Me hashtagun “Liam Neeson, rrëmbehu nga Shqipëria” Flori i bën thirrje të gjithëve të shikojnë videon dhe t’i bashkohen këtij projekti duke nënshkruar peticionin për të sjellë z. Neeson në Shqipëri dhe të rrëmbehet nga natyra e bukur, mikpritja dhe traditat e përjetshme.”


/Blitz.al/

Share