Blitz

 Breaking News

Rinas, kapet pakoja me armë. Policia identifikon personin që e dorëzoi

Rinas, kapet pakoja me armë. Policia identifikon personin që e dorëzoi
August 26
15:37 2017

Nga Anduena Llabani

Një ditë pasi në aeroportin e Rinasit u kapën 3 pako me pjesë përbërëse të armëve luftarake, policia bëri të mundur identifikimin e personit që dorëzoi pakon.

Për arsye hetimi nuk bëhet i ditur emri i personit që ka çuar deri në Rinas pakot me armë, të cilat mendohet se do të niseshin nga Shqipëria për në Greqi me destinacion final Anglinë.

Autoritet ligjzbatuese shqiptare në bashkëpunim me ato britanike kanë arritur të dokumentojnë plotësisht të gjithë skemën e ndërtuar. Sipas tyre, në këtë rast kemi të bëjmë me një tentativë të trafikimit ndërkombëtar të municioneve. Burime zyrtare të policisë së shtetit thanë se brenda pak orësh do të bëhen të ditura detaje të këtij operacioni.

Sipas policisë, pjesët e armëve u gjetën gjatë skanimit të tri pakove  nga punonjësit e kompanisë “ICTS”. Gjatë skanimit të tri pakove të kompanisë postare “DHL” tranzit kanë konstatuar pjesë armësh luftarake.

Pjesët e armëve të gjetura në pako ishin të tipit kallashnikov. Burime nga policia thanë se pakot ishin nisur nga Tirana, ndërsa udhëtimi do të kryhej tranzit Tiranë-Greqi-Londër.

Prokuroria, Drejtoria e Antiterrorit, Drejtoria e Krimit të Organizuar dhe SHISH kanë arritur te personi që ka dorëzuar pakot në aeroport.

Ndërkohë prej ditësh policia shqiptare ka rritur masat e sigurisë në aeroporte dhe institucione të rëndësisë së veçantë, kjo pas sulmeve terroriste në disa vende të Europës./Blitz.al/

 

Share