Blitz

 Breaking News

Rikthim në kohë, skena dhe fituesit e “Kënga Magjike” në 19 vjet

Rikthim në kohë, skena dhe fituesit e “Kënga Magjike” në 19 vjet
November 20
16:29 2018

“Kënga Magjike” prej 20-vitesh tashmë njihet si një ndër festivalet më të suksesshmë në vendin tonë. Ajo ndër vite ka sjellë “këngë hit” të papërsëritsmshe duke bërë që të klikohen dhe të dëgjohen edhe pas përfundimit të spektaklit. Emra të njohur dhe artist të rinj kanë marrë pjesë dhe janë vlerësuar me çmime të rëndësishme. Çdo vit ky festival ka sjellë risi në mënyrën e organizimit por edhe në anën vizive.

Tashmë prej 3 vitesh këngët kane ardhur të kënduara “live” gjë e cila ka përcjellë një emocion të veçantë tek të pranishmit në sallë gjatë tre netëve finale por edhe nga teleshikuesit.

Nisur nga postimi i Ardit Gjebreas në profilin e tij në Instagram ku na zbuloi pak nga skena e 20-vjetorit, ne jemi rikthyer pas në kohë dhe së bashku do të kujtojmë dhe shohim si ka evoluar “Kënga Magjike” që në nisjen e saj në vitin 1999 e deri në ditët e sotme. Kujtojmë që ky është një vit i veçantë për festivalin sepse feston 20-vjetorin e tij dhe pjesëmarrës janë disa nga emrat më të suksesshëm të skenës shqiptare, të cilët kanë sjellë hitet e tyre dhe gara sa po vjen e bëhet më e fortë.

Vitit 1999 edicioni parë

Fituesja e vitit të parë të “Kënga Magjike” ishte Elsa Lila me këngën “Vetëm një fjalë. Ajo ishte në hapat e parë të karrierës dhe mori pjesë përballë artistëve me shumë emër por arriti të triumfonte. Siç mund të shihni edhe nga fotot skena ishte e veçantë dhe ishte risi për vitet 1999.

Viti 2000 edicioni dytë

Ky vit ishte i veçantë për “Kënga Magjike” pasi riktheu në skenë emra të njohur si Nexhmije Pagarusha dhe Justina Aliaj të cilat ndërthurën garën me spektaklin. Çmimi i parë shkoi për motrat Libohova, Irma dhe Eranda me këngën “Një mijë ëndrra” .  E vetmja foto që mund të gjenim nga skena ishte kjo:

Viti 2001 edicioni 3-të

“Kënga Magjike” e këtij viti akoma sot mbetet e tillë. “Për një çast më ndali zemra” nga Rovena Dilo dhe Pirro Çako ishte fituesja e çmimit të parë. Kjo këngë u rikthye në hit dhe u këndua në disa versione edhe disa vite pas spektaklit. Skena ndryshe nga një vit më parë pati ndryshime të mëdha siç mund ta shini edhe në foto:

Viti 2002 edicioni 4-tërt

Çdo vit tashmë ky festival sillte risi dhe surpriza për publikun e gjithashtu rritej numri i artistëve pjesëmarrës. Fituese e çmimit të parë ishte këngëtarja Mira Konçi me këngën “E pathëna fjalë”. Skena kishte një investim gjigand, kur flasim për vitet 2002.

Viti 2003 edicioni 5-stë

Ky ishte një edicion i veçantë për faktin se spektakli festonte 5-vjetorin e tij. Duke qenë se tashmë i kishte kaluar kufijtë shqiptarë dhe shikueshmëria ishte e lartë edhe në Kosovë, ky vit u organizua atje në auditorin 1 tetori. Albumet me këngët pjesëmarrëse shenuan një rekord shitjesh. Çmimi i parë shkoi për këngëtaren kosovare Ema Bytyçi me këngën “Ku je ti”. Edhe pse në në një tjetër ambient skena ishte ideuar me mjaft kujdes.

Viti 2004  edicioni 6-shtë

Në vitin 2004 audienca ishte e jashtëzakonshme edhe për faktin se festivali u vonua me 1 orë e gjysëm duke qenë se media të ndryshme transmetuan lajmin se kishte një bombë në pallatin e kongreseve. Lajmi ishte i rremë dhe spektakli shkoi shumë mirë. Kënga fituese ishte “Prapë tek ti do të vij” kënduar nga Irma Libohova. Skena e këtij viti kishte disa labirinte të krijuara me mjaft mjeshtëri.

Viti 2005 edicioni i 7-të

Ky vit mund të konsiderohet si viti i ndryshimeve në “Kënga Magjike” në përmbajtje por edhe në pasqyrimin e mediave ku u zgjeruan ata që transmetonin spektaklin. Fituese u shpall kënga ritmike “Nuk dua tjetër” nga Genta Ismaili e cila ngriti në këmbë Pallatin e Koncerteve me atmosferën e krijuar. Skena e vitit 2005-të kishte disa risi të cilat shoqëronin artistët gjatë përformancave.

Viti 2006 edicioni 8-të

Viti 2006 përfshiu përveç spektaklit edhe lojra të ndryshme gjatë prezantimit të këngëve.  Fituesi i këtij edicioni u shpall Armen Rexhepagiq më këngën “Kur dashura vdes”. Veçantia e skenës ishte kupa gjigande e vendosur në qendër të saj.

Viti 2007 edicioni 9-të

Ky vit bën bashkë shumë breza artistësh duke bërë që pjesëmarrës të jenë shumë emra të rinj. Kënga e cila u kthye në hit që në prezantimin e saj ishte “Hape veten” nga Aurela Gaçe e cila u shpall edhe fituese e atij viti. Skena kishte mjaft elmente të gurit të cilat e bënin të dukej një art i vërtetë.

Viti 2008 edicioni 10-të

Ky mund të konsiderohet si viti i evolucionit përsa i përket anës vizive. Skena për herë të parë vjen e realizuar nga mjeshtri i Rai-t Gaetano Castelli. Ai sjellë për herë të parë një stil krejt të veçantë në Shqipëri. Kënga fituese e këtij edicioni ishte “Njëri nga ata” kënduar nga Jonida Maliqi.

Viti 2009 edicioni 11-të

Viti 2009 përveç spektaklit që përcolli do të mbahet mend për  rikthimin në skenë  pas 10 vjetësh të këngëtares Adelina Ismaili. Këtë herë pas disa vitesh çmimin e parë e merr një bashkëpunim dhe bëhet fjalë për Eliza Hoxhën dhe Rosela Gjylbegun me këngën “Rruga e zemrës”. Skena u ideua përsëri nga Gaetano Castello e cila  shoqëronte këngët në mënyrë fantastike duke i bërë performancat  mjaft shpërthyese nga ndriçimi dhe efektet.

Viti 2010 edicioni 12-të

Ky vit solli performanca të jashtëzakonshme në skenën e “Kënga Magjike”me korografi të veçanta që kishin ndodhur për herë të parë në skenat shqiptare. Përsëri fitues u shpall një duet, Juliana Pasha dhe Luis Ejlli me “Sa i shite zemrën. Skena në qendër të saj kishte një kurorë gjigande shumëngjyrshme.

Viti 2011 edicioni 13-të

Finalja e viti 2011 u prit me padyrim nga të gjithë pasi bashkëprezantuese e Arditit ishte aktorja  turke Songül Öden e cila ishte personazhi më i dashur në atë kohë për publikun shqiptar e njohur si Gymysh. Fituese me votat e vetë artistëve u shpall kënga “Më lër të fle’ nga Redon Makashi. Skena ngjante me krahë gjigandë të një zogu të cilat merrnin ngjyra të ndryshme.

Viti 2012 edicioni 14-të

Ky mund të cilësohet si viti i këngës “Refuzoj” e cila u këndua në kor nga publiku natën e interpretimit nga Alban Skënderaj. Ishte pikërisht kjo fituesja e edicionit të 14-të nga votat e artistëve. Ky vit solli shumë këngë hit ku mund të përmendim edhe “Ngjyra e kuqe” e kënduar nga Floriani dhe Adrian Gaxha. Skena ishte gjigande e ndarë në ekrane të vogla me mjaft efekte.

Viti 2013 edicioni 15-të

Veçantia e këtij viti ishin prezantueset të cilat u zgjodhen me anë të audicioneve në rrugët e Tiranës. Fituese u shpall kënga e Besa Kokdhimës “Tatuazhë ne zemër” e cila u kërcye dhe u këndua edhe nga publiku në Pallatin e Koncerteve. Skenografia e këtij viti ishte një investim i madh për shkak të ekraneve gjigande të cilat i jepnin performancave efekte që ngjanin shumë afër realitetit.

Viti 2014 edicioni 16-të

Viti 2014-të solli hite në “Kënga Magjike” dhe e tillë ishte edhe kënga fituese e cila elektrizoi publikun në sallë. Bëhet fjalë për “Pa kontroll” e Aurela Gaçes dhe Young Zerkës.  Skena këtë vit ngjante me një hapësire kozmike, dhe i gjithë spektakli ishte menduar në këtë formë nga prezantimi dhe performancat.

Viti 2015 edicioni 17-të

Edicioni i 17-të solli për herë të parë risinë e të kënduarit “Live”.  Kjo solli mjaft emocione gjatë performancave si për publikun edhe për vetë këngëtarët. Për të tretin vit fituese shpallet këngëtarja Aurela Gaçe me baladën “Akoma jo”. Ajo mori shumicën e votave të kolegëve. Skena ishte sjellë përsëri me mjeshtëri nga Gaetano Castelli.

Viti 2016 edicioni 18-të

Edicioni i 18-të mbante madhështinë e tij për skenën dhe investimin që ishte bërë. Përveç kësaj solli këngë të cilat kanë arritur të kalojnë kufijtë shqiptarë siç ishte “Nëntori” nga Arilena Ara. Poashtu edhe kënga fituese “Ma thuja ti” nga Rozana Radi  përcolli një mesazh mjaft prekës për dhunën në familje.

Viti 2017 edicioni 19-të

Edicioni i 19-të kishte të përfshirë magjinë e skenës, magjinë e këngëve të ndërthura më show, humor dhe batuta. Erion Isai dhe Bes Kallaku i dhanë veçanti këtij viti me kiminë e tyre dhe batutat. Fituese u shpall balada shpërthyese e Anxhela Peristerit “E çmendur” e cila “Live” na emocionoi të gjithëve.

Viti 2018 edicioni 20-të

Tashmë po presim të gjithë sy e vesh edicionin më të veçnatë të festivalit “Kënga Magjike”, edicionin e 20-të. Ky vit ka mbledhur artistët me të njohur shqiptarë si Aurela Gaçe, Eli Fara, Ronela Hajati, Kastro Zizo, Era Rusi, Bruno, Artiola Toska etj,dhe thuhet se konkurent do të jetë edhe kantautori i njohur Flori Mumajesi. Pak nga skena e këtij viti na ka zbuluar vetë  Ardit Gjebrea i cili për kaq vite i ka dhuruar publikut shqiptar një spektakël fantastik. Ai shkruan se këtë vit nuk imagjinohet se çfarë do të ndodhë e surprizat pritet të jenë madhështore. Nga videoja duket se skena do të arrijë përmasa të mëdha që nuk kanë janë parë asnjëherë në “Kënga Magjike”. Mezi po presim!

/Blitz.al/

 

 

 

 

 

Share