Blitz

 Breaking News

Për të gjithë ata këngëtarë shqiptarë që fshihen pas Rihanna-s dhe Beyonce-s kur “kryqëzohen” nga publiku…

Për të gjithë ata këngëtarë shqiptarë që fshihen pas Rihanna-s dhe Beyonce-s kur “kryqëzohen” nga publiku…
July 25
18:55 2017

Të inspirohesh nga dikush tjetër, që mund të jetë më i suksesshëm ose jo se ty, është një nga gjërat më të mira që mund t’i bësh vetes. Paçka se këtu ndodh ai “ngatërrimi” kaq shumë i përfolur me kopjimin, sërish të frymëzohesh nuk është aspak diçka e keqe apo e kritikueshme dhe këtë e them me bindje të plotë.

Nëse shikon intervistat, lexon artikujt e prononcimet dhe shikon postimet në rrjetet sociale, si Instagram apo SnapChat mund të dallosh lehtësisht se shumica e këngëtarëve tanë frymëzohen nga po të njëjtët emra: Beyonce dhe Rihanna, ndoshta tek-tuk edhe Shakira, Adele apo Britney Spears. Këtë lloj influence e sheh jo vetëm në produktet muzikore, por edhe në daljet skenike, veshjet, paraqitjen dhe në videoklipe rrjedhimisht.

E keni vënë re që kohët e fundit videoklipet kanë përmbajtje (po mund ta them) të lartë intimiteti dhe sensualiteti? Sigurisht dhe këtu nuk ka asgjë të keqe dhe asgjë për t’u kritikuar. Fundja, të qenit seksi, joshës, sensual apo edhe erotik është pjesë e të bukurës, sidomos në art.

Lart e poshtë po përfliten tej mase dy videoklipe të Alban dhe Beatrix Ramosaj, “Bitchi i mesnatës” dhe “Pa ndjenjë”, kjo për shkak të përmbajtjes që këto klipe kanë. Të dy, motër e vëlla, shfaqen shumë ndryshe nga ç’i kemi parë ndonjëherë: seksi, joshës, por edhe të zhveshur, sensualë… Dhe personalisht mendoj se këtu nuk ka asgjë të keqe; aq më tepër të krahasohen me videot e site-ve të ndryshme pornografike. Fundja, seriozisht mendoni se Albani dhe Trixa janë të përshtatshëm për këtë lloj industrie?

Ajo që më ka bërë goxha përshtypje është një postim i këngëtares në Instagram, ku ka shpërndarë një kolazh fotosh të Beyonce dhe Rihanna-s dhe shkruan: “Kur je DIVË botërore askush nuk të akuzon për seks dhe dhunë”.

 

 

Këtu dua të ndalem goxha!

Nëse ka një justifikim që këngëtarët tanë përdorin sa herë “piketohen” kur vjen puna e të treguarit të hireve apo formave ai është gjithmonë: “Po kur e bëjnë të huajt nuk kritikohen, pse ne sulmohemi?”.

Po, është e vërtetë sepse kur Beyonce publikoi “Partition”, një prej videove më erotike muzikore të publikuara ndonjëherë, kur Rihanna publikoi “Pour It Up”, kur Lady Gaga publikoi “Love Game”… askush nuk “shënjestroi” askënd. Dhe pse? Sepse asnjëra nuk mbahet mend për ato që përmenda më lart, por për ato këngë që sa herë i dëgjon thua me vete: “Po! Më në fund dëgjova një këngë të bukur”, sepse të gjithë i mbajnë mend “Halo”-n Beyonce-s, “Unfaithful” Rihanna-s dhe jo këngët “e nxehta” që të jemi të qartë.

Është për të qeshur në fakt!

Në një treg muzikor si ky i yni, do thosha i vështirë, por jo, sepse nëse ka një treg më të vështirë ai është i Hollivudit, t’ia dalësh me projekte kontraverse është shumë e vështirë. Nëse ia dilni tregon që e keni rrugën e hapur, nëse nuk ia dilni mos u përpiqni të gjeni justifikime te të tjerët…aq më pak tek ata që frymëzoheni! Siç e thashë edhe më lart, nuk jam kurrsesi kundër këngëve, videoklipeve apo çdo forme arti tjetër që manifeston njeriun në çdo aspekt të tijin, përfshirë këtu edhe ata seksual, por kur kjo nuk përqafohet nga të gjithë, më vjen keq, problem nuk është as forma, as materiali, por diçka tjetër…

Prandaj, herën tjetër që do të mundoheni të krahasoheni me Lady Gaga-n, Katy Perry-n, Whitney Houston, Jay Z apo ndonjë emër tjetër me goxha peshë, mos shihni anën më të thjeshtë të mundshme, por mendoni edhe atë të vështirën: këngën e realizuar mirë. Të vështirën thashë? Supozohej të ishte më e lehta duke qenë se po flasim për muzikën.

Nejse, do të isha shumë i lumtur nëse do të më zinin sytë dhe veshët një klip seksi, një këngë të bukur dhe një artist, siç e thotë dhe Kendrick Lamar, “HUMBLE!” dhe atëherë po që askush nuk do t’ju shënjestronte për seksin që ka në klip sepse ai do të ishte vetëm plotësues i panoramës së përgjithshme dhe jo i vetmi detaj që të bie në sy. /Blitz.al/

Andi V.

Share