Blitz

 Breaking News

(Intervistë) Pas 10 vitesh si “street artist” publikon klipin e parë: “Shkallët e jetës i ngjita një nga një, jo me ashensor”

(Intervistë) Pas 10 vitesh si “street artist” publikon klipin e parë: “Shkallët e jetës i ngjita një nga një, jo me ashensor”
August 19
12:45 2017

Me siguri, teksa bëni xhiron tuaj në rrugët e kryeqytetit keni dëgjuar zërin mjaft melodioz të një të riu. Ai është pikërisht Kristi Karkanqe, 24- vjeçari nga Tirana, i cili prej vitesh është bërë një “street artist” mjaft i njohur.

Çdo gjë ka nisur në moshën 14-vjeçare kur Kristi këndonte këngët e tij të preferuara në rrugët e Tiranës e pas kësaj lançoi klipin e tij të parë me titull “Flying High”. Ajo ç’ka vëmë re është fakti se Kristi ka zgjedhur ta realizojë klipin në një mënyrë të veçantë e të thjeshtë. Ai ka qëndruar larg shampanjave e jahteve luksoze, siç shohim rëndom në klipe të ndryshme, por ka zgjedhur pikërisht rrugën, vendin që e bëri Kristin atë që është sot.

Blitz.al ka kontaktuar me vetë artistin, i cili ka treguar në një intervistë ekskluzive se si ka nisur karriera e tij dhe si lindi ideja e realizimit të klipit “Flying High”. Ajo që mund të themi me siguri është fakti që Kristi premton shumë!

1.Kristi, si ka nisur karriera jote si “street artist” dhe a je përballur ndonjëherë me përbuzje ose ofendime apo ke marrë vetëm komplimente?

-Përbuzje, ofendime… Jo, vetëm në fillim është parë pak çuditshëm se ishte hera e parë që dikush dilte e performonte në rrugë. Kjo ishte tabu në atë kohë se tani gjërat kanë ndryshuar, u bënë gati 10 vjet që bëj këtë punë.

2.Dikur bëje “covera” të këngëtarëve të ndryshëm, tani ke një këngë tënden, si ndihesh për të?

-Unë do të vazhdoj të jem i njëjti dhe “covera” do të këndoj sërish. Të bësh një këngë tënden është kënaqësi dhe një ndjenjë e bukur, sidomos kur kënga pëlqehet nga publiku e ta këndojnë kur je “live”.

3.Si lindi ideja për të bërë një këngë dhe klip tëndin?

-Idenë e patëm bashkë me  mikun tim Lind Islamin e Venera Lumanin. Lindi shumë spontanisht. Lindi një ditë më tregoi një demo të këngës e m’u duk e lezetshme. Në fillim e mora, e dëgjova 30-40 herë atë mbrëmje gjatë rrugës duke shkuar në shtëpi edhe kur shkova në shtëpi, doja ta bëja timen!

4.Ku je frymëzuar për tekstin?

-Melodia më ngeli në mendje pasi është shumë e ndjeshme si këngë. Pastaj çdo ditë, ku të isha, në rrugë, taksi, kafene, kur më vinte ndonjë frazë teksti merrja faturat e lokalit ose telefonin dhe e shkruaja. Kështu fillova të shkruaja nga një varg, një strofë, çdo ditë nga pak, deri sa doli një produkt përfundimtar, i cili shpresoj të ketë goditur tek ata njerëz që pëlqejnë t’i këndojnë dashurisë dhe të bukurës.

5.Ke përmendur në tekst personazhin vizatimor Piter Pan, mos ndoshta e përdor si pseudonim tëndin?

-Piter Pan më ka pëlqyer shumë që i vogël dhe akoma më pëlqen.  Jeta që bëj është plot aventura, sidomos vera pasi kam qejf  të takoj njerëz të rinj e të shëtis nëpër vende të ndryshme. Dua të jem njeri social dhe ajo që dua më shumë është t’i shoh njerëzit të qeshin e vetëm të qeshin.

6.Gjete një treg të tejngopur me këngëtarë, çfarë të bën ty të veçantë?

-E veçanta dhe ajo që më bën ndryshe është fakti që njerëzit më njohin dhe e dinë se unë jam ai djali që i mora shkallët e jetës një nga një. Nuk kërkova ashensor për t’u ngjitur shpejt dhe për t’u zhdukur përgjithmonë.

 

#wedding ? #party #cover #Rockroll #time#sing #free #spirit

A post shared by Kristi Karkanaqe (@kristikarkanaqe) on

7.Ke një zë shumë melodioz, mendon se një ditë do të bëhesh një këngëtar i madh?

-Këngëtar i madh? I madh ose i vogël kjo s’ka rëndësi, dua vetëm të bëj atë që po bëj për momentin dhe të ndihmoj sa më shumë njerëz të jenë të lumtur. Të vraposh për të qenë i famshëm është sikur të duash të kapësh erën, s’kam aq kohë për të humbur, plus që njoh shumë të famshëm që do donin të ishin siç kanë qenë në fillim: të lumtur me aq sa kishin…

8.Cilat janë planet e tua për të ardhmen?

-Plane s’kam për të ardhmen, po pres të shoh çfarë planesh ka e ardhmja për mua./Blitz.al/

Share