Blitz

 Breaking News

Gjithë sy e veshë për fëmijët shumë “showbiz” të prindërve shumë “politikanë” shqiptarë

Gjithë sy e veshë për fëmijët shumë “showbiz” të prindërve shumë “politikanë” shqiptarë
July 25
13:28 2017

Kur flasim për prindër politikanë dhe fëmijët e tyre, modeli që na vjen menjëherë në mendje kohët e fundit është Ivanka Trump, e bija e presidentit Donald Trump, e cila momentalisht është në fokusin e të gjithëve për lidhjen e veçantë që ka me të atin. Ivanka është shprehur hapur se ajo do të qëndrojë në krah të Donald Trump për gjithçka ai ka nevojë, si për ta shoqëruar në udhëtime e vizita zyrtare, ashtu edhe për t’i dhënë një mendim në vendimet e rëndësishme që ai duhet të marrë gjatë këtij mandati.

Ivanka është një vajzë e shkolluar më së miri, e cila ka mbaruar me rezultate të shkëlqyera në degën e Ekonomisë në Universitetin e Pensilvanisë dhe për një kohë të gjatë ajo ka qëndruar në krye të financave të kompanive të babait të saj dhe pikërisht në kohëra krize ka bërë të mundur që ta largojë sipërmarrjen e familjes së saj nga falimenti.

Por, përpos arritjeve të saj në fushën profesionale, Ivanka do të komentohet gjithmonë për pamjen e saj, për veshjet luksoze, pushimet qindra mijëra dollarëshe që bën dhe çdo lëvizje e saj nuk mbetet pa komentin e mediave rozë. A mund t’u vëmë faj paparacëve dhe gazetave rozë që përqendrohen në këtë aspekt të Ivanka-s kur në fakt, shumica e lexuesve kanë kuriozitet pikërisht për këtë pjesë të jetës së vajzës së presidentit?

I njëjti trend është vënë re kohët e fundit edhe në Shqipërinë tonë të vogël, si edhe në Kosovë, Maqedoni a Mal të Zi e kudo ku ka politikanë shqiptarë. Shpesh, fëmijët e politikanëve vendosen nën lupën gazetareske rozë dhe prej tyre fitohen miliona klikime për të vetmin fakt: njerëzit janë shumë kuriozë për jetën që bëjnë fëmijët e politikanëve dhe mezi presin të dinë më shumë për ta. Shkurtimisht mund të rikujtojmë disa shembuj të fëmijëve të politikanëve shqiptarë, të cilët i kemi parë shumë prezent kohët e fundit në media dhe mezi presim lajmin e radhës nga ata, lajmin showbiz sigurisht.

***

  •  Shkëlzen Berisha, i biri i Sali Berishës, mund të jetë ndër të parët fëmijë që ka marrë shumë vëmendje mediatike. Ndoshta edhe sepse ai vetë ka qenë më i ekspozuar dhe më i futur në çështjet politike të vendit. Mirëpo, përpos daljeve të tij publike dhe pozicioneve në institucione shtetërore, Shkëlzeni është gati çdo ditë pjesë e një gazete rozë për lidhjen e tij me Armina Mevanin: çfarë i thonë ata njëri-tjetrit, si i kalojnë pushimet, si shprehen në publik dhe, ç’është më e rëndësishmja, cila do të jetë surpriza e radhës që ai do t’i bëjë të dashurës së tij?

  • Të kalojmë pak te fëmijët e presidentit të sapobetuar të Shqipërisë, Ilir Metës dhe kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi. Siç edhe e pamë dje në ceremoninë e betimit të presidentit, Ilir Meta ishte i rrethuar nga tre fëmijët e tij: djali Besari dhe dy vajzat, Bora dhe Era Meta. U shkrua vazhdimisht se Bora, vajza e madhe e familjes Meta, do të jetë edhe krah babait të saj në takime të ndryshme zyrtare, duke qenë se Monika Kryemadhi e ka përjashtuar haptazi detyrën si zonjë e parë. Megjithatë, Bora ka mbajtur një profil të ulët publik deri tani duke qenë e njohur si vajza e dy politikanëve shumë të rëndësishëm të politikës shqiptare, por ajo vetë nuk ka dashur të ekspozohet shumë. Ndryshe nga motra e saj e vogël Era, e cila është një yll i lindur showbiz-i. Ajo bën gjithmonë lajm me lëvizjet dhe deklaratat që jep, për të mos folur pastaj për të gjitha rrjetet sociale që bëjnë një “boom” të vërtetë kur ajo shoqërohet me kushërirën e njohur, Bebe Rexha.

  • Ndërkohë, një profil po ashtu të ulët publik kanë mbajtur edhe fëmijët e kryeministrit Edi Rama, edhe pse çdo gjë e vogël që bëhet lajm shoqërohet me një kuriozitet të madh. Mjafton të kujtojmë disa tituj lajmesh si: “Shihni sa është rritur Zaho, djali i kryeministrit” dhe të gjitha komentet me të cilat ky lajm pasohet për të kuptuar kuriozitetin e tyre. Njësoj kuriozë njerëzit bëhen edhe për marrëdhënien që vajza e Linda Ramës, Rea, ka me Gregun, djalin e madh të kryeministrit dhe pjesën tjetër të familjes. U desh një intervistë e saj e shkurtër në revistën “Bordo” për të “çarë” rrjetin nga leximet e komentet.

  • Një tjetër rast i freskët është edhe ai i vajzës së Majlinda Bregut, Kejdës, e cila u shfaq me fustan të bardhë në sfilatën e “Geraldina Sposa”-s dhe që prej atij momenti lajmet për të nuk kanë të mbaruar. Edhe pse vetë Kejda Ajazi është shprehur se bota e modelingut dhe televizionit nuk janë vendet ku ajo e sheh të ardhmen e saj, sërish komentet mbi format trupore dhe veshjet që ajo kombinon përbëjnë lajm në rrjet dhe shikueshmëria është e lartë.

  • Për të sjellë edhe një herë në vëmendje, në vazhdën e fëmijëve të politikanëve që klikohen për lajmet që prodhojnë për gazetarinë rozë, mjaft të kujtojmë vajzën e Edmond Haxhinastos, Elizën dhe djalin e Nasip Naços, Frankon, të cilët janë në një marrëdhënie dashurie dhe shpesh komentohen në media për jetën luksoze dhe udhëtimet që ata bëjnë. Festa e tyre e fejesës u përcoll me shumë lajme në rrjet, ndërkohë që sigurisht nuk mungoi edhe vëmendja e publikut për të ditur akoma më shumë nga jeta private që tashmë kanë lidhur bashkë dy të rinjtë.

  • Ndërkohë që edhe në Kosovë vazhdon po ashtu i njëjti trend. Të mos harrojmë se djali shumë simpatik i ish-kryeministrit Thaçi, Endrit Thaçi, u kthye në protagonistin kryesor të lajmeve rozë në Kosovë, ku u përfol për një lidhje dashurie me aktoren e re Arta Nitaj.

  • Të njëjtin “fat” ka pësuar edhe djali i ish-deputetes së PD-së në Shqipëri, Jozefina Topalli, Genar Topalli, i cili vazhdimisht është pjesë e showbiz-it për lidhjen e tij disavjeçare me moderatoren e re, Eva Murati.
  • Sigurisht janë edhe të tjerë fëmijë politikanësh të cilët janë përfolur në raste të caktuara, siç mund të kenë qenë fejesat, dasmat apo lindjet e fëmijëve. Na kujtohet me sa kuriozitet janë përcjellë këto evente në shtëpinë e ish-presidentit Bamir Topi, kur vajzat e tij lidhën kurorë në festa të mëdha e që mbahen mend e sot e kësaj dite.

Të qenit fëmijë i një personazhi publik është diçka për të cilën fëmijët vetë kanë pak zgjedhje, duke qenë se ky status u imponohet që para se të lindin. Megjithatë, kur vjen fjala te fëmijët e politikanëve gjërat bëhen pak më delikate sepse vetë profili që prindërit e tyre kanë të lë pak hapësirë për të bërë showbiz. Por, të përfolurit e fëmijëve të politikanëve në gazeta rozë është një trend ndërkombëtar prej të cilit as në shqiptarët nuk mund të përjashtohemi, ndaj ajo që vlen për t’u theksuar është se fëmijët e politikanëve tanë, pavarësisht se janë komentuar dhe vazhdojnë të komentohen akoma më shumë çdo ditë që kalon, kanë ditur të ruajnë profilet e tyre dhe të mos bëhen pjesë e skandaleve rozë, të paktën deri tani. Edhe kur lajmet kanë qarkulluar ata i kanë marrë më me sportivitet dhe në një mënyrë shumë “trendy”.

Ideja qëndron që nëse ata do të dinë të luajnë mirë me mediat rozë, do t’i jepnin shumë pikë plus prindërve të tyre politikanë, të cilët nëse kanë një mangësi është distanca nga populli i thjeshtë. Për shembull, karizma dhe ëmbëlsia e të voglës së familjes Meta, Erës, ka sjellë më shumë simpatizantë në familjen e tyre dhe rrjedhimisht në popullaritetin e Ilir Metës dhe bashkëshortes Monika dhe ky tashmë është një fakt i pakontestueshëm.

Fëmijët e politikanëve ose mund t’i “groposin” këta të fundit ose mund t’i bëjnë akoma më të pëlqyeshëm dhe praktikisht gjithçka mbetet në dorën e tyre se si do të bëjnë lëvizjen e radhës në këtë botën shumë virtuale në të cilën po jetojmë e ku marketingu ka shumë rëndësi. /Blitz.al/

 

Share