Blitz

 Breaking News

Endri Prifti kundër muzikës së Artiola Toskës

December 10
19:18 2016

123

Mbrëmjen e sotme mbyll siparin festivali i mirënjohur “Kënga Magjike” pas dy netëve gjysmëfinale, ku performuan shumë këngëtarë “big” e të rinj.

Ashtu si çdo vit, edhe këtë herë kanë filluar të dalin në sipërfaqe pakënaqësitë e para në lidhje me garën mes artistëve.

Kësaj here, kënga “Mirëmëngjes dashni”, e cila është sjellë në skenë nga  “bilbili” i këngës sonë popullore, Artiola Toska, artiste e cila prej vitesh ka kontribuar në rritjen e vlerave të muzikës qytetare, në bashkëpunim me Brunon, i cili tashmë njihet si një nga këngëtarët e muzikës moderne shqiptare, duket se po korr një sukses që ka ndezur ndjenjën e xhelozisë ndërmjet artistëve të tjerë dhe më konkretisht vëllezërve korçarë Endri dhe Stefi, të cilët thuajse me të njëjtin profesionalizëm kanë performuar muzikë me nota qytetare, por që me sa duket kur e dëgjojnë të interpretuar nga artistë të tjerë u tingëllon si muzikë “masakruese tallava”.

Endri Prifti, i cili këtë vit konkurron bashkë me vëllain, Stefin, me këngën “Për ty”, ka shfaqur hapur pakënaqësitë e tij dhe është shprehur në mediat e shkruara dhe ato sociale se këtë vit festivali është “masakruar nga tallavaja” duke shënjestruar bashkëpunimin e Artiola Toskës dhe Brunos, “Mirëmëngjes dashni”. Endri është shprehur gjithashtu se “..fajin e kanë vetë këta që shpien këngë popullore në një festival. Duhet të shkojnë në festivalin e Gjirokastrës”.

Pikë së pari, duke ditur se Endri ka vite të tëra që interpreton në lokalet e natës, ku këndohen të gjitha rrymat e mundshme muzikore, por edhe në skena festivalesh, ku ai së bashku me të vëllain renditen ndër këngëtarët që kanë eksperimentuar herë me këngë të lehta, herë me balada, herë me këngë popullore, ky reagim kaq “agresiv” ndaj këngës së Artjolës ka çuditur publikun në rrjet. E për më tepër kur  “Mirëmëngjes dashni” është një ndërthurje të notave të muzikës sonë popullore dhe asaj moderne, por aspak të rrymës tallava, siç e cilëson ai.

Mund të risjellim në memorie edicionet e kaluara të “Këngës Magjike”, ku vëllezërit kanë marrë pjesë me këngë mjaft të suksesshme, që kanë bërë bujë gjatë gjithë kohës kur zhvillohej festivali. Ndër këto këngë ia vlen të përmendim “Serenata”, “Jepe jepe” dhe “Mamën ti mos e gënje”, të cilat kishin motive popullore dhe ishin ndërthurje të rrymave muzikore qytetare. Kjo edhe për vetë faktin se në festival nuk ka një rregull të shkruar që e përcakton festivalin si një kompeticion rock, pop, xhaz, të lehtë apo popullor.

Gjithashtu, duke qëndruar në këtë logjikë (Festivali i Gjirokastrës vs “Kënga Magjike”), nëse do të rikthehemi pak në kohë, jo më larg se në vitin 2012, do të shohim se një nga këngët hit të “Këngës Magjike” ishte edhe “Ngjyra e kuqe” nga Adrian Gaxha dhe Floriani, këngë që kishte mjaft elemente tallava, por që jo vetëm u pranua, por edhe fitoi një çmim mjaft të rëndësishëm, “Çmimin e internetit”.

Ndërkohë, për të qenë realistë dhe të sinqertë, një problem serioz që shpesh has muzika jonë është kopjimi dhe huazimi i muzikës së fqinjëve tanë grekë etj., duke e shitur si art shqiptar, si dhe largimi nga vlerat tradicionale apo ato të tabanit tonë popullor e qytetar, trend nga i cili nuk përjashtohen as vëllezërit korçarë. Mjafton të kërkosh në Youtube albumin e vëllezërve Prifti me titull “Dua të më tregosh” dhe do të mund të shikojmë se kënga “Të mos kem frikë të ëndërroj” është një material i vjedhur nga artisti grek “Stelios Rokkos” me titull “Παραμύθi”, ku për më tepër nuk është kopjuar vetëm muzika, por edhe teksti i këngës, i cili është përkthyer fjalë për fjalë nga greqishtja në shqip.

Pavarësisht gjithë kësaj zallamahie, nuk na mbetet gjë tjetër veçse të presim çfarë do të ndodhë sonte në finalen e “Këngës Magjike”. Të tjerat i vendos publiku. /Blitz.al/

 


 

 

 

Tags
Share