Blitz

 Breaking News

Emina Çunmulaj, ndër të paktat që arrin të tejçojë madhështi me thjeshtësinë e saj!

Emina Çunmulaj, ndër të paktat që arrin të tejçojë madhështi me thjeshtësinë e saj!
October 16
22:15 2018

Nga Migena Doçi

“Nuk ka madhështi atje ku nuk ka thjeshtësi, mirësi dhe njerëz të vërtetë.”

Mu kujtua natyrshëm kjo shprehje e Tolstoit teksa ndiqja me shumë kuriozitet Emina Çunmulajn të ftuar në programin e së shtunës në “Xing”.

E pashë nga fillimi deri në fund dhe si rrallë herë ia vlejti barra qeranë të harxhoj dy orë nga koha ime e të rri e gozhduar para ekranit.

Padyshim ndër intervistat më të bukura e më me vlerë të dhëna në kaq kohë.

Eminën e kisha dëgjuar e lexuar edhe nëpër intervista të tjera dhe ia njoh super personalitetin që mbart, por si në çdo dalje tjetër, e dija që sërish do më emociononte, e në fund do na bënte të gjithëve të reflektonim nga pak.

E veshur me thjeshtësi dhe e zhveshur deri në grahmën e fundit në shpirt, pa fijen e pompozitetit e sjellje “alla dive” dhe me dialektin prej malësoreje krenare, Emina na u duk sikur na hyri të gjithëve në shtëpi për pak kohë, për t’na fol ashtu siç kemi harru të flasim shpesh me njëri tjetrin: me thjeshtësi, me mirësi dhe të vërtetë.

Me një elegancë e finesë të lindur, e ndoshta edhe të injektuar nga jetesa amerikane, autoironike me sfidat e jetës pa i konsideruar drama, e me buzëqeshjen si aksesorin e saj më të çmuar, Emina është padiskutim model i njeriut që i mungon aq shumë shoqërisë tonë sipërfaqësore.

Shembulli i një vajze që i ka arritur vetë gjërat në jetë, duke punuar që 15 vjeç, që ka investuar për t’u arsimuar e punuar, pa pritur të vijë princi milioner nga qielli për t’i falur jetën e luksit, pavarësisht se lojrat e fatit do i sillnin në krah një multi-miliarder.

Por ky fakt as nuk e krijoi e as nuk e tjetërsoi vajzën që të gjithë admirojmë sot.

Pjesë e fondacionit “Fundjavë Ndryshe” ndjeshmëria që Emina ka për çështjet e bamirësisë është padiskutim frymëzues.

Pasuria e të shoqit nuk mund të përdoret si faktor në çështjet e bamirësisë, sepse të ndihmosh të tjerët nuk ka të bëjë domosdoshmërisht me pasurinë që posedon, por me atë që ti je si njeri, ose siç vetë Emina thotë “ kur të ther në zemër për varfërinë e tjetrit”.

“Fakti që unë kam një kulm mbi krye, qoftë kjo një kaçorre apo një vilë luksoze, e jam rehat aty me familjen time, dhe fqinji që afër meje s’ka bukë të hajë, kjo nuk më bën mua ta bëj gjumin në paqe”- thotë Emina Çunmulaj, dhe kaq mjafton për të kuptuar mënyrën si kjo vajzë mendon dhe vepron. Padiskutim, tjetër nivel.

Larg takave dhe glamurit të pasarelave më të mëdha të botës, modelja e njohur nuk e ka fare problem të veshë atletet e të përveshë mëngët për t’u ngjitur këtë herë në zonat malore e të errëta.

E ulur këmbëkryq me njerëzit, pa dhënien e dorës klasike, po duke i përqafuar gjer në shtrydhje, Eminës i lexohen në sy ndjesitë për dhimbjen e tjetrit.

Dhe ajo që e bën këtë vajzë akoma më fisnike është se nuk shikon asgjë të jashtëzakonshme në mënyrën e saj të sjelljes dhe në veprat e mira, sepse për të kjo është shumë normale t’i shtrijmë dorën e të ndihmojmë njëri-tjetrin.

Grua dy metra të gjatë dhe njekohësisht aq e përulur vetëm Emina Çunmulaj  mund të ishte. Dhe sekreti është më i thjeshtë seç duket: sepse Emina rritet dhe ndërkohë mban akoma gjallë Ninën e vogël nga Tuzi i Malësisë.

Të tej ngopur më personazhe “fake”, reagimet e njerëzve pas fjalëve domethënëse të Eminës ishin përtej të zakonshmes.

Të gjithë dhe kudo duartrokisnin thjeshtësinë dhe mirësinë që ajo përfaqëson.

Ndoshta ka ardhur koha të kuptojmë që raporti me publikun është pak më i thellë se ç’shitet: që vërtetë “ha” çfarë i serviret, por ama në fund është i vetëdijshëm cili ushqim i bën mirë për shëndetin.

Ndaj, herë tjetër, kur t’i mbushni hapësirat televizive me super “Diva”, super “King”-a dhe super “Queen”-a, dhe përdorni preteksin “se i kërkon publiku” kini parasysh dhe një pjesë (të konsiderueshme) të publikut që e ka marrë malli për njeriun e vërtetë./Blitz.al/

Share