Capital T në versionin John Snow. Sezoni i ri i “Game of Thrones” nuk vjen vitin tjetër, por… këtë tetor
“Game of Thrones” është një nga serialet që ka çmendur gjithë botën dhe shqiptarët gjithashtu. Seriali amerikan, ndër më të ndjekurit, aktualisht sapo ka përmbyllur sezonin e tij të shtatë të suksesshëm dhe ndjekësit besnikë kanë shprehur në rrjete sociale padurim për të mësuar se çfarë do të ndodhë në sezonin e ardhshëm. Regjisori ka lajmëruar se episodet e sezonit të tetë do të rikthehen në 2018-2019-n.
Historia është bazuar mbi novelën e George R.R. Martin me titull “A song of Ice And Fire”.
Megjithatë, duket se fansave shqiptarë nuk do t’u duhet të presin kaq shumë për të parë pak nga seriali i dëshiruar. Në muajin tetor do të vijë versioni shqiptar i Jon Snow, personazhi i njohur i “Game of Thrones”, i luajtur nga aktori anglez Kit Harington.
Këtë herë versionin shqiptar të tij do ta sjellë Capital T. Shumë shpejt reperi i njohur do të publikojë projektin më të ri muzikor, në të cilin do të shfaqet në karakterin e Jon Snow. Vetë Capital T e ka paralajmëruar këtë gjë në Instagram-in e tij.
“Kushdo që ju ka thënë se do t’ju duhet të prisni më shumë se një vit për të parë “Game of Thrones” ka gënjyer. Sezoni i ri fillon në tetor 2017”,- shkruan reperi.
Në fotot e publikuara vihet re një ngjashmëri e madhe e reperit shqiptar me personazhin e njohur, aq sa për një moment edhe mund t’i ngatërrosh. Pa diskutim ky do të jetë një nga projektet më të veçanta dhe interesante të Capital T. /Blitz.al/