Blitz

 Breaking News

Arritjet në muzikë, këngëtarja shqiptare: “Prindërit nuk më lejonin”

Arritjet në muzikë, këngëtarja shqiptare: “Prindërit nuk më lejonin”
December 04
21:35 2018

Ajo ka një karrierë shumë të gjatë në muzikë, dhe pse kohët e fundit ka pasur një shkëputje. Jeta Faqolli ishte e ftuar te “Rudina” për të folur për jetën dhe aspektin profesional. Një ndër detajet që ajo tregoi ishte dhe fillimi jo dhe aq i lehtë dhe mbi të gjitha,pa mbështetjen e prindërve.

“Që e vogël kam bërë mësime për instrumentin e mandolinës. Kam bërë dhe disa aktivitete, por shumë pak sepse prindërit e mi ishin shumë fanatikë dhe nuk më lejonin. Pas shkollës 8-vjeçare edhe ditëlindjet i kam patur të ndaluara, kam qenë shumë e mbyllur. Kam patur shumë ëndrra dhe i kam nisur me shumë vonesë kur kam ardhur në Tiranë dhe di unë ç’kam hequr derisa mora në dorë timonin e jetës time. Edhe prindërit më vonë e panë që nuk kishte asgjë të keqe të merreshe me muzikë. Kanë qenë vite të vështira për vajzat në atë kohë, sepse kishte shumë rrëmbime, ndërkohë prindërit e mi kishin vetëm 4 vajza dhe nuk dinin si të na mbronin.

Vite më vonë unë i kam kritikuar, megjithatë ky ka qenë fati im. Më kanë ngelur shumë gjëra të parealizuara, tani është shumë vonë, por të paktën kam arritur diçka tjetër. Prindërit e mi janë indiferentë për muzikën time, nuk janë bashkëpunues. Çelësi i suksesit është mbështetja familjare, gjë që unë nuk e kam patur. Pavarësisht se nuk e shprehin, prindërit tani besoj janë shumë të kënaqur sepse unë jam ajo që mbaj familjen. Kam bërë shumë gjëra dhe kam ndërtuar karrierën time me forcat e mia. Tani gjërat kanë ndryshuar dhe unë jam shumë e qetë”- u shpreh ajo.

Gjithsesi, dhe pse me kaq vështirësi ajo ka arritur të ketë këngë që nga publiku pëlqehen shumë. Së fundmi, ajo u rikthye në një bashkëpunim me Kastro Zizon- “Bashkë”. /Blitz.al/

Share