Blitz

 Breaking News

Qyteti enigmatik i bregdetit shqiptar…

Qyteti enigmatik i bregdetit shqiptar…
July 20
18:21 2017

Marin Mema

 

Mes morisë së qyteteve antike që vinin nga lashtësia ilire, një pjesë e të cilave u shkatërruan gjatë dyndjeve të ndryshme, në mesjetë shumë qendra të tjera do të ngriheshin kudo në Arbëri.  Disa i dhanë formë një fizionomie të ndryshme duke u kthyer nga kala e kështjella të thjeshta në qendra të vërteta të mëdha e të banuara. Vendbanime të tjera, sidomos ato në bregdet apo në grykëderdhjet e lumenjve, u ngritën apo u bënë të njohura pas shekullit të 11-të. Duke nisur nga Shirgji në Bunë, Shufadaja që mendohet se shtrihej në derdhjen e Matit ose të Ishmit (siç mendojnë disa studiues), Bregu në Shkumbin, Pirgu në Seman, Sajadha në derdhjen e Kallamatës e deri në Frarin diku jo larg Pargës së sotme, i gjithë bregdeti ishte i mbushur me qendra të tilla.

Mes tyre ishte edhe një qytet që do të kthehej shpejt në një ndër qendrat më të zhvilluara ushtarake dhe ekonomike të të gjithë ultësirës bregdetare.  Viti 1205 sjell dokumentet e para që flasin për ekzistencën e qytetit të Spinaricës. Mendohet se ai mund të jetë ngritur disi më herët, ndoshta që në shekullin e 11 – 12 gjatë periudhës së luftërave normano – bizantine.

Shpejt ky qytet do të rritej duke u kthyer, siç thekson edhe profesor Pëllumb Xhufi, në një port nga ku prodhimet e despotatit të Beratit shkonin drejt Venedikut dhe Raguzës.  Ato ishin të ndryshme, duke filluar nga drithi, prodhimet bujqësore e blegtorale, te kripa e mëndafshi. Spinarica kishte një rëndësi të veçantë, duke qenë një qendër për bizantin e më pas ku venedikasit e raguzianët nuk mjaftoheshin vetëm me tregtinë në distancë. Në këtë vend që lulëzonte si një qendër e madhe ata do të vendosnin dhe emëronin diplomatët e tyre. Edhe për këto emërime faktet nuk mungojnë. Në librin “Dokumente arkivore të Raguzës” dëshmohet se në shtator të vitit 1301, Dobroslav i Kaliçit u emërua për disa muaj konsull i Raguzës në Spinaricë. Në të njëjtat vite ka dëshmi të qytezës së ngritur aty pranë ku jetonte një popullsi vendase e ku dokumentet e viteve 1326 e 1328 theksojnë emra të lidhur me të.

Rreth vitit 1258, Spinarica iu dha në pajë pas martesës me të bijën e despotit të Epirit Mihal i Dytë,  mbretit të Napolit, Manfredi Hohenshtaufen. Edhe pasuesi i tij në fronin napolitan, Karli i Parë i anzhuinëve, do ta përfshinte Spinaricën në zotërimet e tij në bazë të një traktati të nënshkruar në Viterbo në 1267-n. Rreth 10 vite më pas rezulton se këtu qëndronte një grup ushtarak detar bizantin që udhëhiqej nga Sevasti Stano, kapiten i Beratit dhe Spinaricës. Gjithashtu, në 1279-n edhe flota anzhuine do të zbriste këtu duke e kthyer në një qendër ushtarake me komandantin anzhuin Hugo De Suli, kapiten në Vlorë e Spinaricë.

Dokumentet e fundit që flasin për Spinaricën janë ato të mesit të shekullit të 14-të, ku qyteti vazhdon të figurojë si një qendër tregtare. Nga fundi i shekullit të 14-të e më pas, Spinarica nuk përmendet më.  Edhe në hartat e vjetra ajo humbet dhe nuk dallohet më kurrkund në dokumente.

Akoma më i çuditshëm është fakti se deri sot askush nuk ka arritur ta lokalizojë se ku ndodhet qyteti i Spinaricës. Tezat janë të shumta dhe përfshijnë një hapësirë të gjerë që lidhet me lëvizjet ndër shekuj të shtratit të lumit Vjosë. Por përtej tyre, ku ndodhej saktësisht Spinarica? Për të arritur në një përfundim të gjithëpranuar duhen kërkime të mirëfillta që, për fat të keq, deri sot nuk janë bërë.

Si mund të zhduket një qytet në këtë mënyrë? E përpiu toka, një fatkeqësi natyrore, një sulm i papritur ushtarak apo çfarë?

Enigma mbetet…

Share