Blitz

 Breaking News

Pellazgët e Naim Frashërit (nga Marin Mema)

Pellazgët e Naim Frashërit  (nga Marin Mema)
November 12
13:55 2018

Për pellazgët dhe gjithçka ka lidhje me ata, me siguri keni dëgjuar të flitet më shpesh prej librave të autorëve të lashtë. Veprat dhe emrat e këtyre autorëve jane cituar pafundësisht herë për të mbështetur disa teza e herë për të hedhur poshtë disa të tjera, kjo në funksion të skenarëve shpesh dashakeqës në tjetërsimin dhe falsifikimin e së vërtetës. Por si i ka konsideruar dhe si i ka parë pellazgët një nga figurat më emblematike të letërsisë së Rilindjes Kombëtare Naim Frashëri? Ndoshta do të mjaftonte titulli i poezizë ‘Pellasgët-shqipëtarët’, për të kuptuar të gjithë esencën e teorisë që ai mbështet dhe për të dalë në konkluzionet përkatëse. Me gjuhë të thjeshtë, por me synim të qartë, atë të ngritjes së vetëdijes kombëtare, duke hedhur sytë nga e kaluara e lashtë dhe e lavdishme, mesazhi i Naimit vjen si më poshtë:

Ishte një ditë

Që pellasgjitë

Posi një dritë

Mbuluan dhenë

Duall ng’ Asia

Si mizëria

Dhe me ania

E hodhë denë.

 

Pas pakë herë,

Duke përzjerë

Ca me të tjerë,

Bënë elinët,

Dhe duke ndarë

Syresh një farë,

Si ka të ngjarë,

Bëri llatinët. 

 

Edhe të tjerët

E më të ndjerët,

Të papërzjerët,

Pellasgjinj mbenë

Maqedhoninjtë

E ilirinjtë

E mollosinjtë,

Gjith’ ata qenë.

 

Dhe ata janë

Prindërtë tanë,

Pastaj na thanë

Na shqipëtarë

Mundim të themi

Ne ata jemi,

Atë gjak kemi,

Si dhe shtyparë. (Tiparet)

 

Thot’ Herodoti,

Në Tomor zoti

Shtëpi qëmoti

Kishte Dhodhonë

Eshtë m’e vjetër

Ngaha çdo tjetër,

Shumë më tepër,

Kjo gjuha jonë.

Pra fare qartë, përmes këtyre strofave kuptohet se Naimi mbështet prejardhen pellazgjike të shqiptarëve, ndërsa bën një përshkrim poetik të fakteve historike, të cilat i gjejmë në veprën e Homerit e më gjerë. Padyshim, si shumë Rilindas të tjerë edhe Naimi në këtë rast mes rreshtave jep mesazhe të fuqishme për ngritjen e ndjenjës kombëtare duke sjellë në vëmendje se shqiptarët janë pasardhës të pellazgëve. Kjo është një lidhje e pohuar edhe nga autorë të tjerë shqiptare veç atyre të huaj, siç psh Pashko Vasa, Sami Frashëri, Eqerem Bej Vlora,  Fan Noli , Mehmet Konica, e një pafundësi autorësh, historianësh e studiuesish të tjerë.

/Blitz.al/

 

Share