Blitz

 Breaking News

Patatina të bëra në shtëpi (më të shijshme dhe më të shëndetshme)

Patatina të bëra në shtëpi (më të shijshme dhe më të shëndetshme)
August 06
21:29 2017

Ka dy mënyra për të përgatitur patatinat në shtëpi. Të skuqura ose në furrë. Natyrisht në furrë ato janë më të shëndetshme, por të skuqura ato bëhen edhe më krokante. Provojini të dyja mënyrat dhe vendosni çfarë ju pëlqen.  Mund t’i aromatizoni me erëzat që dëshironi më tepër, si rigon, piper të zi, piper të kuq, paprika të ëmbël ose të tymosur. Këto të miat janë me rigon dhe të gatuara në furrë. Sekreti për ti’ pasur patatinat sa më krokante si të përgatitura me të dyja mënyrat është që t’i lini sa më gjatë në ujë të ftohtë në mënyrë që t’u dalë amidoni dhe gjatë gatimit ato nuk do t’ju lëshojnë ujë.

Përbërësit:

patate

vaj ulliri

kripë

rigon

Përgatitja:

Qëroni patatet dhe pritini në feta shumë të holla me mandolinën (vegël e posaçme për të prerë perimet shumë hollë) ose me qëruesen e patateve. Vendosini në ujë të ftohtë për rreth 1 orë dhe gjatë kësaj kohe ndërrojani ujin nja dy herë. Kullojini dhe përthajini shumë mirë me një beze kuzhine.

Në një tavë shtroni letër furre poshtë. Shtoni pak fare vaj ulliri dhe hapeni me dorë në mënyrë që të lyhet letra dhe patatet mos të ngjiten. Shtroni patatet, por mos të jenë sipër njëra- tjetrës. (Nëse keni tava silikoni për pjekje s’kanë nevojë për vaj sepse ato shkëputen shumë kollaj nga tava). Shtoni rigon dhe vendosini në furrën e nxehur më parë në 170° për 30 minuta. Nëse nuk ju duken mjaftueshëm krokante lërini në furrën e fikur edhe 15 minuta të tjera. Hiqini dhe kriposini. Lërini të ftohen dhe shërbejini.

Për versionin e skuqur mjafton që t’i skuqni patatet në vaj kikiriku të nxehtë për disa sekonda. Përthithuani vajin me letër kuzhine. Kriposini dhe shtoni rigon. Shërbejini.

Burimi: Adda’s All

 

 

Share