Blitz

 Breaking News

Kënga Magjike 2018, java e tetë: “Lajmi i mirë dhe lajmi i keq”

Kënga Magjike 2018, java e tetë: “Lajmi i mirë dhe lajmi i keq”
November 26
17:18 2018

Më lejoni ta nis duke thënë se ky ishte episodi më i bukur i “Kënga Magjike” deri tani, sigurisht për shkak të emrave që u prezantuan, por edhe për arsye se ishte puntata e rikthimeve dhe e dashurisë. Them deri më tani, pasi surprizat në këtë 20 vjetor të festivalit, kam përshtypjen që do vazhdojnë deri në javën e fundit. Performancat plot emocion, krijimet muzikore shumë të mira, tekstet e bukura e gjithçka tjetër, të gjitha ishin pjesë e javës së 8-të të festivalit, e duke qenë kështu, nëse po prisni të lexoni lajme të këqija pas gjithë kësaj hyrje, më mirë mbylleni artikullin që tani.

Artistët Big

Rozana Radi- Kur përfundon një dashuri si kjo e jona

Rozana në vitin 2016 doli nga festivali si triumfuese me këngën “Ma thuaj ti”. Ajo rikthehet këtë vit me të njejtin stil, me një baladë të fuqishme plot emocion që kësaj rradhe i kushtohet një dashurie të shkuar keq. Këngëtarja vjen së bashku me një tjetër triumfues, kompzitorin e këngës, Kleidi Bahitin, muzika e së cilit, së bashku me tekstin e bërë nga vetë Rozana të japin një ndjesi dhimdje dhe njëkohësisht çlirimi nga dashuria.  Performanca shumë e veçantë, falë dhe skenografisë, e ku artistja përdor dhe aftësitë që ka në aktrim. Super!

Lajmi i mirë: Ky është prezantimi i një kënge e cila nga bashkimi i forcave është krijuar për të qenë triumfuese, në mos në festival, në përcjelljen e emocioneve.

Lajmi i keq: Ka shumë mundësi që Rozana të ketë mbetur ende e lidhur pas atyre litarëve tek skena e “E Diela Shqiptare”.

Klajdi Haruni-Nuk të dua dot më pak

Një serenatë e bukur dhe një skenografi tërësisht korçare rikthyen dhe Klajdi Harunin në festival. Padyshim një këngë që fjalën hit e ka të shkruar që në notat e para dhe me siguri do të kërcehet pafund tani e mbrapa. Gjatë gjithë kohës që Klajdi këndon “nuk të dua dot më pak”, që meqë ra fjala është një super fjali që shpreh dashurinë, ne mendojmë se si nuk mund ti duam dot më pak tingujt e kitarës në sfond. Sigurisht është një prodhim i Threedots, e nëse doni të dëgjoni një këngë që të jep vetëm ndjesi positive është kjo.

Lajmi i mirë: Klajdi na shton në playlistë një këngë që fare mirë çdokush mund t’ja dedikojë njeriut të zemrës.

Lajmi i keq: Nga ana tjetër Klajdi vetë i shtohet listës së çunave për të cilët të dashurat do na thonë: “Pse nuk je cik si Klajdi?”.

Kejsi Tola-Më ke mua

Një tjetër prodhim i Threedots në të cilin dora e Flori Mumajesit, njejtë si kënga më lartë, duket qartazi. Kjo pasi edhe teksti dhe muzika janë adapte dhe i shkojnë shumë karakterit të këngëtarëve. E kam fjalën kush më mirë mund të këndonte një serenatë me tingujt e kitarës se Klajdi Haruni, dhe për tu kthyer te “Më ke mua”, askush nuk mund të këndonte më mirë një këngë të tillë për dashurinë, se sa Kejsi Tola. Zëri i kësaj të fundit nuk ka nevojë për koment, sidomos në momentin që sapo fillon refreni. Ndryshe nga të tjerat kjo këngë vjen në atë formë, që çdokush mund ta ndjejë si një dedikim të ndjerë e me emocion. Ja vlen të përmendim dhe prezantimin e Kejsit, super në formë dhe e ëmbël.

Lajmi i mirë: Çdo pjesmarrje e Kejsit në festival apo prodhimtari në muzikë është lajm i mirë, sidomos kur bëhet fjalë për krijime të tilla që të mbeten më mëndje,

Lajmi i keq: Zakonisht kur Kejsi vjen me këngë kaq të mira, e gjitha pasohet nga një pauzë relativisht e gjatë. Shpresojmë që ky të mos jetë rasti dhe të vazhdojë të jetë sa më shumë aktive në muzikë.

Fifi ft. Mc Kresha- Psikopatja jote

Vetëm nga fakti që këta dy artistë do të bashkëpunonin, prisnim që kënga të kishte një super tekst dhe nuk na zhgënjen. Kjo baladë dashurie, e cila sipas vetë këngëtarëve vjen si një rrëfim i dy të dashuruarve ku secili tregon versionin e vet të kësaj ndjenje, është e veçantë. Fjalët e tepërta janë fukarallëk në këtë rast, sepse çdo gjë që mund të them, do interferonte në fjalët që janë përdorur për të shkruar këtë projekt. Kështu që dëgjojeni dhe kur të vijë ai momenti i atij shikimit që Mc Kresha i jep Fifiit, bëjeni pauzë dhe shijojeni.

Lajmi i mirë: Ky bashkëpunim në tërësi është një lajm i mirë, kaq domethënë.

Lajmi i keq: S’e morëm vesh kurrë cfarë ka brenda asaj cantës të Mc Kreshës.

Venera Lumani- Lind Për Ty

Po e kuptoni që në titull besoj, është dedikimi që këngëtarja bën për partnerin e saj Lindi Islamin dhe përveçse është një lojë shumë e bukur fjalësh, është një nga ato gjestet e dashurisë që të gjithë do donin ti kushtohej. Ndryshe nga të tjerat, edhe pse një këngë dashurie, nuk është baladë, më moderne, më me ritiëm, pra më ndryshe. Tani presim Lindin që edicionin tjetër, me kitarën e tij ti bëj një dedikim Venerës.

Lajmi i mirë: Shfaqje të tilla dashurie, sidomos nëpërmjet këngës, janë gjëra që duhet ti shohim e dëgjojmë çdo herë e më shumë

Lajmi i keq: Nuk është kënga në youtube, vërtetë është dedikim për të dashurin, po e mira do ishte ta dëgjonin dhe të tjerët, jo vetëm ai.

Ndërkohë për  New Artist nuk po i marr të gjykoj të gjithë, për arsye se kaluan në fazën tjetër pa problem, nuk sollën ndonjë ndryshe nga javët e tjera dhe kjo pjesë e festivalit u mbyll që këtë javë. Gjithsesi më duhet ta përmend se niveli i artistëve të rinj është shumë i lartë këtë vit, ka disa pretendentë kryesore(kollitje, Krusita, kollitje) , këngë shumë të mira dhe zëra të fuqishëm. Edhe për ta do jetë një betejë e vërtetë në Pallatin e Kongreseve. Deri të dielën tjetër, mbani sytë hapur. /Blitz.al/

Share