Blitz

 Breaking News

E mbani mend kur të kishe origjinë nga Shqipëria nuk ishte dhe aq “cool”?

E mbani mend kur të kishe origjinë nga Shqipëria nuk ishte dhe aq “cool”?
November 29
21:38 2018

Historia e Shqipërisë ka qenë e mbushur me vështirësi, që nga krijimi i saj, shpallja e pavarësisë, vitet e komunizmit, krizat politike e sociale, e gjatë çdo zhvillimi tjetër. E megjithatë, pavarësisht problemeve, gjithmonë shqiptarë të zotët dhe të talentuar ja kanë dalë të bëhen të njohur në të gjithë botën. Zakonisht kjo ka ndodhur me bijët e emigrantëve apo atyre që kanë ikur nga Kosova e Shqipëria që të vegjël. Duke pasur mundësi në shtetet e huaja që në vendin e origjinës nuk do ti kishin, sigurisht dhe me pak fat, talenti dhe dëshira e shumë të rinjëve i ka kaluar pritshmëritë. Gjithsesi vitet e fundit, janë shtuar dhe rastet kur shqiptarët bëhen të famshëm njëherë në Shqipëri dhe pastaj jashtë vendit, sepse letë themi atë që është, pavarësisht problemeve këto ditë mundësitë janë më të mëdha dhe ne tashmë jemi të hapur për tu njohur dhe nga bota.

Sigurisht që personazhi me të cilin krenohemi të gjithë  dhe që është i njohur gjithandej në Europë është padyshim heroi ynë kombëtar Skënderbeu. Ndërsa më e njohura me origjinë shqiptare në mbarë botën, për shkak dhe të kohës së veprimtarisë së saj apo bëmave të shenjta, është Nënë Tereza, më saktë  Shën Tereza. Për nderimin e të dyve mbahen ceremoni të mëdha çdo vit, jo vetëm nga shqiptarët por edhe të huajit. Mund të përmendim figura të tjera të historisë si Sami Frashëri i cili ka dhënë një kontribut të madh në formimin e shtetit turk, nipi i tij Mit’had Frashëri, një intelektual brilant, aktori Aleksandër Moisiu, shkrimtari Ismail Kadare e shumë, e shumë të tjerë.

Ndërkohë këto kohë arti ka qenë eksportuesi më i madh i talenteve jashtë vendit, ku shumë këngëtarë, aktorë, instrumentisë e balerinë janë bërë të famshëm botërisht dhe me krenari tregojnë origjinën shqiptare.  Por me siguri e mbani mend që në fund të viteve 90’, në fillim të viteve 2000’, madje deri para 2010-ës, shqiptarët nuk ishin dhe aq krenarë që ishin shqiptarë. Përveç Jim Belushit dhe Eliza Dushkut që ndonjëherë vinin në Shqipëri për të bërë ndonjë reklamë, apo Kledi Kadiut që me frazën e tij “Të ndihemi krenarë” na shafqej në çdo television, të tjerët jo se nuk e pranonin që ishin shqiptarë, por nuk para kishin dëshirë ta thonin.

Sigurisht kishte dhe nga ata që e mohonin fare. Në fillimet e saj këngëtarja Eleni Foureira nuk e pranoi kurrë që ishte shqiptare për pubikun grek. Nuk mund të harrojmë as rastin aq shumë të diskutuar të futbollistit Sotir Nini që ndryshoi emrin dhe zgjodhi të luajë për kombëtaren e vendit grek. Ka pasur dhe momente të tipit të Bleona Qeretit që në një intervistë tha “Unë tani kam nënshtetësi amerikane”, ose Dafina Zeqirit dhe shtetësisë së saj suedeze, ku artistët nuk e mohoni origjinën por donin të njiheshin në sytë e publikut si shtetase të një vendi tjetër. Për disa prej tyre, shumë vonë e kemi marrë vesh që kanë origjinën shqiptare ose kanë lindur në Shqipëri ose Kosovë, pasi nuk kishin dashur ta shfaqnin.

E megjithatë kjo zgjati deri para nja dy vitesh. Pikërisht në momentin kur yje botërorë si Dua Lipa, Rita Ora dhe Bebe Rexha filluan të lobonin dhe ta përmendnin origjinën e tyre në shumë dalje publike. Urimet për Pavarësi, kërcimet popullore shqiptare apo fjalët e thëna shqip sa aty këtu, ishin pikërisht momentet kur specifikisht këto tre këngëtare, “frymëzuan” dhe artistët e tjerë, futbollistët, shkrimtarët, madje dhe ata që kanë origjinë shumë të largët shqiptare të “dilnin nga dollapi”. KIjo sepse papritur të qënit shqiptarë u bë “cool”. Eventet ku shqiptarët e famshëm ftoheshin, koncertet, mbledhjet etj etj, filluan të bëheshin më popullore dhe të gjithë duan nga një copë nga “talenti shqiptar.”

Madje tani ka ardhur momenti që shumë vetëm sepse kanë origjinë shqiptare, mendojnë se janë të talentuar, vetëm se duke shqiponjën me duar e gjëra si këto, do të marrin shumë klikime apo “like” në Instagram. Sepse papritur, të gjithë ata që deri para pak vitesh nuk ndiheshin për origjinën, po guxoj të them që edhe turpëroheshin, kuptuan që miliona shqiptarë nëpër botë dhe se mbështetja e tyre mund të të bëjë të famshëm. Kshu është rasti i disa reperave apo këngëtarëve të reja që kanë një në tre poste në Instagram për Shqipërinë ose që shfrytëzojnë famën dhe suksesin e këngëtarëve bio të Kosovës për të fituar.

E kështu, tani të jesh shqiptar është “cool”, sepse mesa duket tani shqiptarët janë të talentuar dhe Shqipëria është një vend i mirë, me plazhe të bukura dhe që ka luftuar të jetë e lirë. Këto vitet e fundit domethënë. /Blitz.al/

Share