Blitz

 Breaking News

10 personazhet shqiptarë që përtej artit, u bënë pjesë e politikës

10 personazhet shqiptarë që përtej artit, u bënë pjesë e politikës
March 29
19:40 2019

“Shqiptarët vdesin të merren pak me politikë”, kjo është një nga shprehjet që mund ta dëgjosh kudo për njerëzit në vendin tonë dhe me thënë të vërtetën nuk është dhe aq e gabuar, se fundja politikën e kemi pikë të dobët. Kjo domosdoshmërisht nuk është gjë e keqe, pasi të gjithë duhet ta kenë një mendim politik dhe pse jo, të bëhen pjesë e saj nëse mendojnë se mund ta bëjnë.

Gjatë viteve kemi parë personazhe të shumtë të bëhen pjesë e forcave politike dhe të japin kontributin e tyre në krijimin e ligjeve, komisionet apo çdo gjëje tjetër që politika përfshin. Duke filluar nga gazetarët, që në fillim e viteve 90’ ju futën në mënyrë massive politikës, duke vazhduar me njerëzit e thjeshtë që patën prirje në këtë fushë, biznesmenët dhe artistët. Fillimisht aktorët që ju futën politikës me lëvizjen e studentëve, e më pas këtij trendi ju bashkuan këngëtaret. Këto janë disa nga artistët që u përfshinë në politikë, disa duke lënë gjurmë e disa duke dalë nga “skena” pa u vënë re:

1.Eliza Hoxha

E fundit që u bë pjesë e një partie politike është Eliza Hoxha. Ditën e sotme Kadri Veseli, kreu i parlamentit në Kosovë ka bërë me dije se këngëtarja e njohur është bërë pjesë e PDK. Në fakt kjo nuk vjen shumë si surprizë, sepse Eliza është shpesh e angazhuar në kauza të ndryshme sociale e politike, sidomos në qytetin e Prishtinës.

2.Arben Imami

Por të rikthehemi pas në kohë dhe të kujtojmë ndër të parët artistë, më saktë aktorë, që u përfshi në politikë e që ja doli me sukses të ketë një karrierë aty. Arben Imamin fillimisht e njohëm si aktor në filmat “Në çdo stinë”, “Të shoh në sy” apo “Njeriu me top”, por gjithsesi shumë e mbajnë mend si një pjesëtar të rëndësishëm të PD-së. Madje ai ja doli të ishte dhe ministër i drejtësisë, i qeverisë lokale dhe shef i kabinetit të kryeminsitrit.

3.Rajmonda Bulku

Pak më ndryshe është rasti i Rajmonda Bulkut, e cila njihet më shumë për karrierën në aktrim se sa për atë në politikë. Nuk po i përmendim emrat e projekteve kinematografike ku ka qenë pjesë, se me siguri i njihni shumë mirë, por duhet thënë që ajo ka qenë pjesë e Partisë Demokratike që në vitet 90. Ka shërbyer si deputetet deri para pak vitesh.

4.Luiza Xhuvani

Ndryshe nga dy aktorët e lartëpërmendur Luiza ka shërbyer si deputete për zonën e Sarandës në Partinë Socialiste. Fatkeqësisht u detyrua të dalë nga politika në vitin 2014, kur dorëzoi mandatin e saj pas problemve ligjore ku u përfshi djali i saj.

5.Çiljeta

Nuk ka mbajtur asnjëherë poste si deputete, aq më shumë në qeveri, por ka qenë pjesë e rëndësishme e fushatës së PD-së në zgjedhje kur shpesh herë dilte në krah të ish-kryeministrit Berisha. Gjithashtu ka qenë pjesë e këshillit kombëtar të Partisë Demokratike.

6.Greta Koçi

Gjithashtu ka qenë pjesë e Partisë Demokratike, madje ka mbajtur postin e rëndësishëm të kryetares së FRPD-së. Shpesh herë është bërë pjesë e fushatës së kësaj force politike. Gjithsesi prej disa kohësh ka bërë një hap mbrapa dhe nuk është më pjesë aktive e politikës. Kjo për arsye se ka vendosur të vazhdojë karrierën në muzikë dhe sipas saj politika ishte një punë intensive që të merrte shumë kohë.

7.Kastro Zizo

Ka qenë i angazhuar me LSI-në për disa vite, madje ka qenë pjesë e listës së deputëve nën siglën e kësaj partie. Gjithashtu në një intervistë deklaroi që po mendonte të kandidonte për kryetar bashkie në Përmet, po me Lëvizjes Socialsite për Integrim, por që për momentin ky plan është lënë pezull nga ai. Në “Thumb” ka deklaruar se nuk është më pjesë e kësaj partie politike dhe nëse përfshihet sërish në politikë do e bëj si i pavarur.

8.Gaz Paja

Edhe pse jo i përfshirë drejtpërdrejt në strukturat e PS-së, fakti që është mbështetës i kësaj force politike nuk është sekret. Kjo pasi ka qenë pjesë aktive e fushatës së të majtëve në zgjedhjet e kaluara por gjithashtu ka qenë pjesëtar i jurisë që përzgjodhi kryetarin e FRESSH para disa kohësh. Ndoshta në të ardhmen duhet ta mendojë të vazhdojë një karrierë në politikë, do ti shkonte staturës së tij.

9.Memli Krasniqi

Për ju që nuk e njihni, edhe pse dyshoj të jeni pak, është ish-anëtar i grupit të hip-hopit “Ritmi Rrugës”, por tani njihet si një politikan i suksesshëm në Kosovë. Ka qenë zv.kryetar i PDK-së që nga 2013-ta, ka shërbyer si ministër i agrikulturës dhe zhvillimit rural dhe ministër i kulturës. Njihet për fjalimet e drejtpërdrejta dhe frymën e re që ka futur në partinë e tij.

10.Labinot Tahiri

Këngëtari i njohur, është gjithastu deputet i LAA-së në parlamentin e Kosovës dhe njihet për fushatat e bamirësisë që organizon dhe përfshirjen në çeshtjet shumë të diskutuara sociale. Duket se karrierën në politikë e ka ndërmarrë vetëm për ti ardhur në ndihmë njerëzve të varfër dhe bravo i qoftë!

/Blitz.al/

Share