Blitz

 Breaking News

Sërish skandal me doktoraturat? Ministrja Ogerta Manastirliu akuzohet për plagjiaturë

Sërish skandal me doktoraturat? Ministrja Ogerta Manastirliu akuzohet për plagjiaturë
December 03
15:30 2018

Lëvizja “Për universitetin” ka denoncuar ditën e sotme për plagjiaturë, ministren Ogerta Manastarliu.

Ministrja e shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale akuzohet se ka kopjuar punën kërkimore të një studiusi nga Afrika Jugut, Fannie Mnisi.

Lëvizja “Për Universitetin” ka publikuar disa fotografi, duke treguar me prova sesi plagjiatura është bërë nga një zbulim shkencor në Afrikën e Jugut.

“Ajo që ka bërë mininistrja ka qenë thjesht një shqipërim dhe është “shitur” si shkencë”- thotë ndër të tjera Lëvizja.

Postimi i plotë nga “Lëvizja për Universitetin”:

“PLAGJIATURË E DOKTORATURËS SË MINISTRES SË SHËNDETËSISË!

Lëvizja Për Universitetin denoncon përdorimin që po i bëhet dijes universitare si trampolinë për karrieristët e politikës. Drejtuesit e universiteteve publike – ata që duke kërcyer nga karrigia në karrige janë kthyer në bajraktarët dhe zaptuesit e përhershëm të tyre – partia në pushtet i përdori jo vetëm që të legjitimojë reformën famëkeqe në arsimin e lartë, por nga duart e tyre po dekorohen me tituj të pamerituar ushtarët e bindur të pushtetit që drejtojnë ministritë e këtij vendi. Para pak kohësh Taulant Muka denoncoi plagjiaturën e ish-zv/Rektorit të Universitetit të Tiranës, ish-anëtarit të Komisionit për Reformën në Arsimin e Lartë dhe Kërkim Shkencor, e tanimë edhe ish-zv/Ministrit të Arsimit në vend, Ervin Demos.

Lëvizja Për Universitetin po i kthen sytë nga doktoratura e Ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliut. Pas shakasë së hidhur që ishte premtimi “shëndetësi falas”, ndërkohë që çdo vit dhjetëra të sapodiplomuar në mjekësi marrin valixhet për jashtë shtetit, drejtimi i një ndër ministrive më jetësore në vend i lihet dikujt që ka gënjyer për punën e vet shkencore. Ka gënjyer sepse atë punë, siç tregojnë fotot më poshtë, në kapitujt hyrës e ka kopjuar thuajse në çdo gërmë nga puna shkencore e diplomantit për master shkencor nga Republika e Afrikës së Jugut, Fannie Mnisi. Herë pas here në tekst duket se është zëvendësuar emri i lokalitetit Albert Luthuli me emrin e Tiranës, për të dalë në konkluzionet “shkencore” për famëkeqin landfill të Sharrës që i mori jetën minorenit Ardit Gjoklaj – atij që punonte natën për të blerë libra – për përfitimet e miqve të kryebashkiakut të Tiranës.

A është ky bataku në të cilin qeveritë shqiptare e kanë lënë shkencën e këtij vendi? Në vend të punës shkencore me dinjitet, mashtrim dhe turp! Ne kërkojmë shkarkimin e menjëhershëm të Ogerta Manastirliut nga posti i Ministres së Shëndetësisë.

Lëvizja Për Universitetin është zotuar të luftojë ndër të tjera edhe për përmirësimin e cilësisë së arsimit të lartë duke denoncuar abuzuesit me të, qofshin ata pedagogë që s’e meritojnë këtë emër, drejtues-bajraktarë, ministra a kryeministra. Ky është vetëm fillimi! S’keni parë gjë akoma!”

/Blitz.al/

Share