Blitz

 Breaking News

Vrasja në Vlorë, arrestohet pas 4 muajsh njëri prej autorëve

Vrasja në Vlorë, arrestohet pas 4 muajsh njëri prej autorëve
July 17
13:40 2017

4 muaj pas një vrasjeje të ndodhur në qytetin e Vlorës është arrestuar në pikën kufitare të Kapshticës njëri nga autorët e dyshuar të ngjarjes së rëndë.

Policia bëri me dije se ka arrestuar shtetasin e shpallur në kërkim: Eljaso Çela, 23 vjeç, banues në Tiranë (me precedentë të mëparshëm kriminalë).

Ndalimi i tij u bë pasi ky shtetas rezulton i shpallur në kërkim në lidhje me ngjarjen e datës 20.04.2017, ndodhur në lagjen “Uji i Ftohtë” në Vlorë, ku në ambientet e një lokali është vrarë me armë zjarri shtetasi Ergys Gjioveshaj si edhe janë plagosur tre shtetas të tjerë.

Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas mund të ketë konsumuar elemente të veprave penale: “Vrasje në rrethana cilësuese” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” parashikuar nga Nenet 79/dh; 278 të Kodit Penal.

Veprimet e mëtejshme procedurale në lidhje me këtë rast i ndjek Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë.

Kujtojmë se një ditë pas ngjarjes së rëndë, autoritetet arrestuan 19 – vjeçarin Gani Tozaj, ndërsa u shpallën në kërkim dy personat të tjerë, Aranit Kondaj, i cili vijon të mbetet në arrati, si dhe Eljaso Çela.

Të tre këta persona, mbrëmjen e 20 prillit ndodheshin të ulur në një tavolinë në lokalin në afërsi të zonës së “Ujit të Ftohtë”, kur pas një konflikti të çastit qëlluan në drejtim të 33 – vjeçarit Ergys Gjioveshaj duke e lënë të vdekur në vend.

Plumbat kapën edhe 3 persona të tjerë, të cilët nuk kishin lidhje me ngjarjen.

I arrestuari Tozaj, i cili ndodhet aktualisht në burg, ka deklaruar se nuk ka qenë ai që ka qëlluar mbi viktimën, por ka qëlluar 37 – vjeçari Kondaj, i cili ndodhet aktualisht në arrati.

/Blitz.al/

Share