Blitz

 Breaking News

Vrasja në ish-bllok, zbardhet dëshmia e pronarit të lokalit

Vrasja në ish-bllok, zbardhet dëshmia e pronarit të lokalit
October 06
14:10 2018

“BalkanWeb” zbardh pjesë nga dëshmia e Redi Popeskut, pronarit të lokal “Monopol” në zonën e ish-Bllokut, ku mbrëmjen e së të enjtes ndodhi masakra me një të vrarë dhe dy të plagosur.

Popesku, është dëshmitari okular dhe i vetmi që ka folur deri më tani me detaje, lidhur me debatin e ndodhur mes grupit të Ervis Martinajt dhe Ervin Matës, ky i fundit në kërkim bashkë me dy miqtë e tij, komandon Meviol Bilo dhe Fabio Alushin.

Popesku ka shpjeguar përpara oficerëve të policisë, se ishte Ervin Mata që i kërkoi që në lokalin e tij të vinte Ervis Martinaj, për t’u sqaruar për një konflikt që kishin mes tyre.

 

Mesa kuptova ka qenë një konflikt ordiner për të dashurën
Gjithashtu dua të sqaroj momentin që para se të vinte Ervis Martinaj, mua më tha Ervin Mata, nëse e kisha problem që ai të vinte tek lokali im. I thashë se nuk kishte problem, pasi Martinajn e kisha të njohur. Dua të sqaroj se të dy këta persona, si Ervin Mata dhe Ervis Martinaj u takuan normalisht dhe nuk dhanë asnjë shenjë për konflikt. Pra u takuan miqësisht dhe nuk kishin tendencë që të tregonte se situata do agravonte siç ndodhi”, ka thënë Popesku në dëshminë e tij.

Ai shpjegoi më tej se debati fillimisht nisi mes njërit prej djemve që shoqëronte Martinajn, i identifikuar më vonë si Fabian Gaxha dhe komandos Meviol Bilo, që ishte në shoqërinë e Matës.
Sipas Popeskut, pas debateve verbale, ata u konfliktuan edhe fizikisht, dhe ishte pikërisht personi që shoqëronte Martinajn, që nxori armën dhe qëlloi i pari.

I pyetur nëse kishte dijeni se më çfarë makine udhëtonte Ervis Martinaj, biznesmeni Popesku thotë se mesa ai mban mend, Martinaj mbërriti në lokalin e tij me një makinë tip “BMW” të zezë.

Krimi i rëndë që tronditi kryeqytetin, ka ndodhur në zonën ‘VIP’ të Lokalit, e cila rezulton të jetë e pambuluar me kamera dhe vetëm përmes dëshmive mund të hidhet dritë për atë sesi rrodhën ngjarjet. Në lokal nuk ka pasur as kamerier, pasi pjesëtarëve të dy grupeve u është shërbyer nga vetë Popesku. Pavarësisht faktit, se për momentin duket si një ngjarje e nisur për motive banale, prokuroria nuk përjashton edhe pistat e tjera, që mes grupeve mund të ketë pasur konflikte të mëparshme, e kanë shfrytëzuar momentin për të larë hesapet mes tyre.

Kamerat e sigurisë, të instaluara në ambientet e jashtme të biznesit, pritet ta ndihmojnë prokurorinë për të zbardhur të plotë mekanizmin. Ndërsa, për të hedhur dritë mbi motivet, institucioni i akuzës, ka në duar tre telefonat e sekuestruar nga të cilët mund të grumbulloje prova, mbi bazën e të cilave mund të drejtohet hetimi në ndonjë pistë tjetër. Nisur kjo nga fakti, se si vetë Ervis Martinaj dhe dy personat që e shoqëronin, Fabian Gaxha që mbeti i vrarë dhe Eljon Hato, i plagosur në spital, rezultojnë me precedentë të mëparshëm penale.

Burimi: Balkanweb

Share