Blitz

 Breaking News

Votuan për rritjen e çmimit të ujit, LSI përjashton 2 këshilltarët e saj

Votuan për rritjen e çmimit të ujit, LSI përjashton 2 këshilltarët e saj
July 27
13:49 2017

Lëvizja Socialiste për Integrim ka përjashtuar nga grupi i këshilltarëve bashkiakë dy këshilltarët Agim Kraja (në foto) dhe Genta Mezini që votuan pro rritjes së çmimit të ujit të pijshëm ditën e djeshme.

Koordinatorja e LSI-së, Erjona Bixha, doli sot para mediave për të dhënë lajmin, duke akuzuar dy këshilltarët se kanë votuar për interesa korruptive duke shkelur statutin e LSI-së.

“Në koherencë të plotë me qëndrimin politik të LSI-së vendosim të përjashtojmë nga grupi i këshilltarëve bashkiakë Genta Mezinin dhe Agim Krajën për shkelje të statutit. Qëndrimi dhe votimi i tyre ditën e djeshme në Këshillin Bashkiak të Tiranës ka qenë individual dhe i shtyrë nga interesat korruptive”,- deklaroi Bixha.

Ajo tha se LSI distancohet nga qëndrimi i dy këshilltarëve që votuan në kundërshtim me vendimin politik të kësaj force. Bixha premtoi se LSI ka një mision në shërbim të qytetarëve.

“Distancohemi qartë dhe prerë nga qëndrimi korruptiv i këshilltarëve Mezini dhe Kraja.

Votimi i tyre ka qenë në kundërshtim me vendimin politik të LSI. Genta Mezini dhe Agim Kraja nuk përfaqësojnë LSI. Opozita ka një mision në shërbim të qytetarëve”, – deklaroi koordinatorja e LSI-së.

Mes të tjerash këshilltarja e LSI-së pohoi se emrat e dy këshilltarëve që abuzuan me postin do t’i propozohen edhe forumeve që të marrin masa përshkallëzuese.
“Qëndrimi dhe votimi i tyre dje në Këshillin Bashkiak ka qenë individual dhe korruptiv dhe jo në emër të partisë dhe në shërbim të qytetarëve. Grupi i këshilltarëve të LSI duke u diskutuar qartë vendosi që emrat e Mezinit dhe Krajas, t’u propozohen forumeve që në zbatim të statusit të përshkallëzojnë masën ndëshkuese të këtyre këshilltareve që keqpërdorën atributet e LSI, duke trafikuar votën dhe duke tradhtuar besimin e qytetarëve. Duke e konsideruar opozitën mision në shërbim të vendit, atë çështje morale, garanton qytetarëve e Tiranës se detyrim i yni është respektimi i të drejtave të tyre”, – tha Bixha. /Blitz.al/

Share