Blitz

 Breaking News

Vdekja e adoleshentes ruse në Ksamil, arrestohet i dyshuari, e goditi në kokë me mjetin lundrues

Vdekja e adoleshentes ruse në Ksamil, arrestohet i dyshuari, e goditi në kokë me mjetin lundrues
July 22
14:48 2017

Një ditë pas ngjarjes së rëndë të vdekjes së adoleshentes ruse Kseniya Ryok nga San Petersburgu i Rusisë në brigjet e Ksamilit në vendin tonë, policia e Sarandës ka arrestuar një person si të dyshuar për incidentin që i mori jetën 16-vjeçares.

I arrestuari është Ermal Fataj, pronari i një mjeti lundrues nga Ksamili i Sarandës, i cili ishte një nga personat e shoqëruar për ngjarjen e rëndë, pasi ndodhej në ujë bashkë me 34 mjete të tjera lundruese.

Nga kontrolli në mjetin e Ermal Fatajt, u gjetën flokë, që janë dërguar për ekspertim.

Një tjetër detaj që e tradhtoi Ermal Fatajn është fakti se ai ka tentuar të fshehë mjetin e tij lundrues pas ngjarjes.

Fataj është marrë në pyetje nga policia, ndërsa pritet përfundimi i ekspertizës për të zbardhur plotësisht ngjarjen.

Kseniya Ryok është turistja e dytë ruse që humb jetën në plazhet shqiptare, pasi një vit më parë një tjetër turist mbeti i vdekur pasi u godit nga një mjet lundrues teksa po lahej në det.

Ndërsa këtë vit bilanci i vdekjeve në plazhet shqiptare ka arritur shifra të frikshme, pasi 1 javë më parë u mbytën 3 persona dhe 4 ditë më parë u mbytën burrë e grua në Velipojë. /Blitz.al/

Share