Blitz

 Breaking News

U dhunua nga bashkëshorti i pacientes, flet kirurgu në Shkodër: “Kishte kartelë psikiatrike, i paguaja ilaçet pacientes”

U dhunua nga bashkëshorti i pacientes, flet kirurgu në Shkodër: “Kishte kartelë psikiatrike, i paguaja ilaçet pacientes”
July 31
08:42 2017

Dy ditë më parë, një kirurg i spitalit në Shkodër u dhunua me mjete të forta nga bashkëshorti i një pacientes së tij.

Kirurgu Besmir Grizhja mori disa plagë në trup nga goditjet e shtetasit Ali Kopliku, por tashmë ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore.

Për këtë ngjarje policia shpalli në kërkim dhe arrestoi shtetasin Kopliku.

Kirurgu Besmir Grizhja në një rrëfim për “Gazetën Shqiptare”, tha se personi që e dhunoi pretendonte se po i zgjasnin trajtimin të shoqes duke e sorollatur, ndërsa shton më tej se e ka ndihmuar të sëmurën duke i blerë ilaçe duke shpenzuar nga xhepi i tij.

Besmir Grizhja tha se e ka ndihmuar disa herë të sëmurën, duke ia blerë ai vetë ilaçet, pasi i shoqi Ali Kopliku nuk ia siguronte ato.

“Kam pasur një konflikt me familjarin e një pacienteje që e trajtojmë rregullisht. Bashkëshorti i saj ka pretendimin se po i zgjatet trajtimi, ndërkohë që ai ka kartelë psikiatrike. Për më tepër, ai nuk ia merr mjekimin bashkëshortes. Pacienten e kam trajtuar sipas protokolleve më të mira, madje në disa raste i kam siguruar edhe medikamente privatisht meqë kishte për të marrë mjekim për shumë kohë. Jam përpjekur dhe e kam ndihmuar atë sadopak”, – tha kirurgu. Po sipas tij, kjo paciente është e para që një ilaç kaq të shtrenjtë po e merr me rimbursim. “Për më tepër, kjo paciente është e para që merr me rimbursim një ilaç shumë të shtrenjtë. Nuk mund të flas për më gjatë, pasi e gjitha kjo situatë do të sqarohet zyrtarisht edhe nga spitali i Shkodrës”, – pohoi Grizhja. Gjithashtu, ky i fundit nuk harroi të falënderonte edhe personat që i qëndruan pranë pas asaj që i ndodhi. “Falënderoj ata që më kanë mbështetur dhe janë solidarizuar me mua”, – tha ai.

Sipas burimeve, Ali Kopliku njihet si një person me probleme të shëndetit mendor.

Më parë ai është dënuar edhe për dhunë në familje ndaj bashkëshortes së tij. /Blitz.al/

Share