Blitz

 Breaking News

Turistët anglezë që humbën në Theth rrëfejnë për aventurën e tyre të rrezikshme

Turistët anglezë që humbën në Theth rrëfejnë për aventurën e tyre të rrezikshme
October 31
19:31 2018

Chris dhe Sanne janë dy turistët anglezë, 33 dhe 27 vjeç,  që para pak ditësh humbën mes maleve në Theth, për tu shpëtuar më pas nga disa djem që banonin në atë zonë.

Në një intervistë për Balkanweb ata kanë dhënë detaje në lidhje me aventurën e tyre të rrezikshme dhe se si arritën të ktheheshin në vendin ku po qëndronin, shëndoshë e mirë.  “Gjatë ecjes tek Bar Simoni që është përgjatë këtij rrugëtimi ne jemi ngatërruar dhe jemi futur djathtas në vënd që të shkonim majts sepse shenjat e orientimit nuk ishin të mira. Kemi ecur për mbi 10 orë, nga ora 8 e mëngjesit deri në 6 të pasditës.’’ –rrëfen çifti ndërkohë që thonë se nuk e dinin që në zonë kishte kafshë të egra prandaj nuk janë ndjerë të frikësuar- “Në momentin që humbëm ishte mjegull, ishte terren i rrëshqitshëm në çdo cep dhe çdo gjë u bë e vështirë për shkak të të ftohtit, erës dhe shiut.’’

Më pas ata flasin dhe për faktin që u shpëtuan nga tri djem nga Thethi, Çesk Berishta, Nikoll Djegsina dhe Françesk Harusha të cilët i gjetën pasi ishin njofuar nga Loren Nikaj, vajza që i kishte mbajtur turistët në kampingun e saj në Shkodër dhe që mori e para mesazhin e tyre. Pikërisht për shkak të këij mesazhi nga smartphoni me pak bateri dhe nga zjarri që i ka ruajtur, ata ja kanë dalë të shpëtojnë shëndoshë e mirë.  ‘’Ne nuk na gjeti policia por Çesku, Niko dhe Françesku, tri djemtë nga Thethi”-shprehet Sanne, duke hedhur kështu poshtë versionin zyrtar të policisë-‘’Ata ishin shumë të sjellshëm dhe na thanë të mos shqetësoheshim se do ktheheshim me ta’’.

Në fund çifti anglez siguron intervistuesin se pavarësisht kësaj aventure të rrezikshme ata do të largohen me impresionet më të mira nga Shqipëria, vetëm do të donin që të kishin më shumë shenja gjatë rrugës.

Në fakt numri i turistëve në zonat malore, e sidomos në Theth është rritur ndjeshëm vitet e fundit por nuk mungojnë rastet kur ata humbin rrugën ose mbeten të vetëm mes maleve dhe borës, aq sa tani duhet të ishte kthyer në një problem vendosja e shenjave në rrugë apo përmirësimi i shërbimeve turistike. /Blitz.al/

Share