Blitz

 Breaking News

Skenari i ngjarjes/Grabitja në Rinas në pistën e avionit, flasin pasagjerët që panë gjithçka. Mbetet i vrarë një nga autorët

Skenari i ngjarjes/Grabitja në Rinas në pistën e avionit, flasin pasagjerët që panë gjithçka. Mbetet i vrarë një nga autorët
April 09
16:27 2019

Ndryshe nga sa u raportua fillimisht “BalkanWeb” shkruan  se grabitja ka ndodhur brenda aeroportit të Rinasit e jo në rrugë.

Në një informacion paraprak të shpërndarë nga policia, thuhet se grabitja ka ndodhur në pistën e avionit, ndërsa gjatë shkëmbit të zjarrit ka mbetur i vrarë një prej autorëve. Zyrtarisht nga policia nuk jepet një shumë e parave të grabitura, ndërsa policia thotë se në ndjekje të auorëve është ngritur edhe një helikopter.

Po kështu mësohet se forcat RENEA janë vënë në ndjekje të autorëve, ndërsa e gjithë Tirana është në shtetrrethim. Në të gjithë kryeqytetin dhe rrugët hyrëse e dalëse me Tiranën janë ngritur postblloqe nga policia.

“BalkanWeb” ka arritur të sigurojë dëshmitë e pasagjerëve të avionit me të cilin do të udhëtonin sot paratë e grabitura në aeroportin e Rinasit. Mësohet se paratë kanë qenë në një avion të linjës Tiranë-Vjenë, ku ndodheshin edhe 160 pasagjerë që do të udhëtonin drejt Austrisë drejt orës 15:05.

Pasagjerët kanë thënë se kanë parë personat të veshur me rroba si Komando të afroheshin tek barku i avionit dhe kanë kërcënuar punonjësit.

“Avioni ishte i ndezur dhe pamë nga ana e djathtë e avionit tre persona me kapuçë në kokë, të veshur si komando të afroheshin tek barku i avionit. Kujtuam se bëhej fjalë për një stërvitje. Ata kanë kërcënuar me armë punonjësit dhe i urdhëruan të shtrihen”, kanë thënë pasagjerët.

Më pas autorët kanë marrë paratë në barkun e avionit dhe janë larguar fillimisht më këmbë e më pas me një furgon. Pak minuta pas grabitje ka hyrë policia në avion dhe ka kërkuar pamje por pasagjerët kanë thënë se nuk kanë filmuar. Po kështu policia ka zbritur pasagjerët më pas nga avioni.

Në ndjekje të tyre janë vënë forcat e FNSH dhe ato të Policisë Kufitare të Rinasit.

Gjatë ndjekjes në një rrugë dytësore, autorët kanë shkëmbyer zjarr me Policinë, e gjatë këtij shkëmbimi ka humbur jetën njëri prej autorëve të grabitjes. Policia ka gjetur ndërkohë dhe bllokuar një mjet fugon.

Forca speciale policore si RENEA e FNSH, të ndihmuara nga një  helikopter janë ende në ndjekje të autorëve të grabitjes.

Të angazhuara në operacionin e gjerë janë edhe forca nga Policia e Tiranës, Lezhës, Dibrës e Durrësit.

Skenari i ngjarjes

Autorët kanë qenë tre dhe lëviznin me një furgon të bardhë me mbishkrimin “hetimi tatimor”. Ata kanë hyrë në zonën kargo të aeroportit pak pasi disa kompani sigurimesh kanë ngarkuar në avion paratë që do të lëviznin jashtë vendit. Grabitësit kanë marrë paratë në avion dhe kanë dalë nga aeroporti.

Bashkëpunëtorët e viktimës, kanë marrë trupin e pajetë dhe e kanë hedhur në lumë për të humbur gjurmët dhe janë arratisur. Kur është gjetur nga policia, viktima nuk ka pasur asnjë mjet identifikimi në trup dhe nuk dihet ende emri i tij. Policia është vënë në ndjekje të dy grabitësve të tjerë nga toka dhe nga ajri.

Share