Blitz

 Breaking News

“Pusho ose ik! Mjaft llomotite!”- kërcënohet akademiku Artan Fuga

“Pusho ose ik! Mjaft llomotite!”- kërcënohet akademiku Artan Fuga
August 29
10:35 2017

Akademiku dhe profesori i njohur Artan Fuga, i njohur për qëndrimet e tij kritike në fushën e shkencave të komunikimit apo edhe për fushën politike së fundmi, ka publikuar një shkrim ku bën me dije se ai është kërcënuar të pushojë për të mos folur mbi atë që po ndodh në Akademinë e Shkencave.

Fuga shkruan se pseudonimsat pa kurajë qytetare dhe intelektuale e kërcënojnë të pushojë sepse u djeg publikimi i të vërtetave.

Më tej ai jep një renditje të plotë të asaj që po ndodh në institucionin më të lartë të shkencave si dhe publikon statusin e një zonje që e ka paralajmëruar të mos llomotisë kot më kot nëpër Facebook.

STATUSI I PLOTË

Pseudonimsi anonims kërcënon: Pusho ose ik!
———————
Pseudonimsat me dosje, sigurisht, pa kurajë qytetare se intelektualë nuk mund të jenë, u djeg fort bërja publike nga ana ime e faktit se në 4 shtator Akademia e Shkencave, detyrimet e mia ndaj së cilës janë respektuar deri në një, po shkon drejt zgjedhjeve të kryesisë:

– Pa bërë bilancin e saj publikisht për mënyrën se si ka drejtuar këto katër vite, raport të hapur për publikun dhe elitën universitare të vendit. Atje do të shihej se në çfarë ngërçi institucional e funksional e kanë futur Akademinë e Shkencave, këtë të mirë publike që mund të ishte një xhevahir në kurorën e kombit.

– Zgjedhje pa debat sepse kanë ndaluar debatin para procesit të votimit.

– Pa bërë transparencën e figurës të akademikut në lidhje me ish- sigurimin e shtetit dhe policinë e fshehtë.

– Pa e lejuar akademinë të paraqesë platformën e saj në mbështetje të përpjekjeve deri tani të sabotuara, reformim i kërkuar nga ana e ekzekutivit, pra për një reformim tërësor të akademisë dhe të gjithë sistemit të kërkimit shkencor në vend.

– Zgjedhje pa kandidatura rivale dhe konkurrenciale.

– Me interpretime ligjore krejt subjektive dhe pa marrë konsulencën juridike nga ana e organeve të specializuara.

– Pa rishikuar sipas parashikimit rregulloren e brendshme të akademisë që të hapte rrugë dinamizimi.

– Duke shkelur çdo praktikë dhe duke vendosur në poste administrative përtej moshës 68 vjeç që në asnjë universitet publik nuk lejohet.

– Gjithçka brenda një rrotacioni prej disa vitesh e më shumë se një dekadë ku kryetari bëhet nënkryetar dhe nënkryetari bëhet kryetar.
—————-
Dhe anonimsi, i cili mund të jetë kushdo, edhe një rruga, por kurrsesi një akademik, aktivizohet me shpifje qesharake si edhe me thirrjen: Ti që kërkon transformim në Akademinë e Shkencave largohu që andej! Mos fol në publik. Hesht! Ja kërkesa agresive: Ose prano kalbëzimin dhe merr atë honorar ose ik!

Ja:
Elda Muçollari Fuga mesa di unë, ju, si anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave prej 8 vitesh nuk keni marrë kurrë pjesë (ose për të qenë të saktë maksimumi 1-2 herë) në mbledhjet e asamblesë së Akademisë së Shkencave.

  1. Ky fakt, i nderuar, ju bën ju të humbisni çdo të drejtë për të kërkuar, pretenduar apo sugjeruar, kjo për të qenë korrekt me parimet etiko-morale të shoqërisë.
  2. Çështjet që kanë nevojë për diskutim, diskutohen në asamble, në sallën qendrore të akademisë (sallë që s’ju ka parë kurrë juve) dhe jo në ndonjë qorrsokak tinëzar Facebook-u ku shkruani ju.
  3. Mesa unë jam e informuar, nuk ka ndonjë pengesë në ligj, për atë që ju e quani “rrotacion kryetar-nënkryetar”. Është e drejta e kujtdo të zgjidhet dhe rizgjidhet (konform caqeve të caktuara në ligj), po ku e njihni ju ligjin, po ku e dini ju që ligji thjesht dhe ftohtë zbatohet, ju thoni: Meqë unë mendoj kështu (mua më leverdis kështu) edhe ligjin ta interpretojmë kështu. Futesh në burg i dashur, kur ligjin e interpreton sipas logjikës tënde apo dëshirës tënde.
  4. Do ta merrja seriozisht këtë shkrimin tuaj nëse ju do të kishit shprehur dëshirën për të kandiduar në ndonjë nga postet drejtuese në A.SH. dhe t’ju jetë mohuar kjo e drejtë. Atëherë shkrimi juaj mund të merrte vlerë. Por jo, s’ka ndodhur asgjë e tillë, ju nuk keni guxim të shfaqni një pretendim të tillë. Ju nuk keni këllqe të bëni asgjë përveçse të shkruani e-maile, letra, paçavure cepash gazetash.
  5. Ah, për ta mbyllur Fugë, meqë të qenka rënduar shumë ndërgjegjja me atë çka po shkon Akademia e Shkencave, largohu më mirë nga ai komunitet, hiq dorë nga titulli akademik (edhe de juro), kështu çliron ndërgjegjen tënde dhe ndalon së qeni “qesharaku” mes akademikëve. Po si mund ta bësh ti këtë, ti shpërblehesh prej akademisë, çdo muaj, në shumën prej 500 mijë lekësh të vjetra, për të shfryrë mllefin që ke ndaj akademisë, madje çdo gjëje që frymon mbi këtë botë. S’e kam kuptuar kurrë pse nuk refuzon t’i marrësh ato para mujore, të kësaj akademie që sipas teje vegjeton… kjo është më e ndershmja “filozofi ynë llomotitës”. Ah, Fugë, boll i dashur u bëre objekt talljeje për shqiptaret, se është turp që mban akoma titullin e nderuar anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Dhe për ta mbyllur, shko voto në datën 4 shtator dhe na bëj ndonjë “selfie” me pamje nga kutia e votimit. Bëje njëherë detyrën për të cilën shpërblehesh çdo muaj. Mos e fshi komentin,- përfundon statusi i Fugës. /Blitz.al/
Share