Blitz

 Breaking News

Presidenti Meta dekreton lirimin e Sandër Lleshajt si Gjeneral Brigade

Presidenti Meta dekreton lirimin e Sandër Lleshajt si Gjeneral Brigade
November 16
14:25 2018

Presidenti Ilir Meta ka dekretuar sot nxjerrjen në lirim të oficerit me gradë madhore, Gjeneral Brigade Sandër Lleshaj, i cili është propozuar nga kryeministri Edi Rama për postin e ministrit të Brendshëm.

Dekretimi nga Meta, i hap kështu rrugë emërimit të Lleshajt në krye të Ministrisë së Brendshme, ndërsa aktualisht mban postin e zv.ministrit.

DEKRETIMI SI MINISTER

Sot në orën 00:00 mbaron afati kushtetues që presidenti Ilir Meta të shprehet për dekretimin e Sandër Lleshajt si ministër i Brendshëm. Meta pak më herët tha në një prononcim të shkurtër për gazetarët tha se ka ende kohë deri në darkë. “Ka kohë deri në darkë. Tani po iki në zyrë”, tha presidenti. Kujtojmë se Meta refuzoi dekretimin e Lleshajt në pozicionin e ministrit të Brendshëm, por Rama nuk u ndal. Më 9 nëntor kryeministri Edi Rama e çoi sërish emrin e gjeneralit në Presidencë si propozim për ministër. Ai deklaroi se bashkëngjitur kërkesës do t’i dërgohet Presidentit edhe një relacion i detajuar shpjegues, në funksion të dekretimit të Ministrit të Brendshëm.

Nga ana tjetër Presidenti Meta i dërgoi një letër Ministrisë së Mbrojtjes më 9 nëntor ku nëpërmjet 14 pyetjeve i kërkonte informacion për Sandër Lleshajn dhe statusin e tij në Forcat e Armatosura.

Në letrën e tij për ministren e Mbrojtjes Olta Xhaçka, Kreu i Shtetit thoshte se duke qenë se ministri si funksion kushtetues është autoritet civil, emërimi Sandër Lleshajt në detyrën e ministrit të Brendshëm, paraqet një problematikë themelore kushtetuese pasi është ushtarak aktiv. Por më 12 nëntor shefi i qeverisë i përgjigjej pyetjeve të Metës me një shkresë të gjeneral Sandër Lleshaj për ta çdekretuar nga grada e tij, në mënyrë që të ishte brenda normave kushtetuese për Ministër të Brendshëm.

/Blitz.al/

Share