Blitz

 Breaking News

Përse do të mbahet mend tetori i 2018-tës?

Përse do të mbahet mend tetori i 2018-tës?
October 31
20:16 2018

Muaji që lamë pas ishte mjaft i ngarkuar me ngjarje të cilat do të mbahen mend gjithmonë sepse  na shoqëruna gjatë përditshmërisë sonë dhe kishin peshë të madhe në politikën dhe shoqërinë shqiptare.

Më poshtë keni një përmbledhje të lajmeve që mund të quhen si më kryesore të aktualitetit dhe politikës për muajin tetor. Arsyeja pse u zgjodhën këto lajme si më kryesorët, është sepse kanë qenë tema e ditës në portale, kronika lajmesh dhe studio televizive.

  1. Rasti Xhisiela

Rasti Xhisiela ishte një histori e cila përfshiu shumë persona publik dhe mbante përmbi supe politikanë dhe dhunën ndaj gruas. Të dyja këto ishin gërshetuar në këtë  ngjarje që shokoi opinionin publik për shkak të ecurisë dhe rrjedhjes se ngjarjeve.

Historia e Xhisela Malokut ndonëse u denoncua dy muaj më parë, mori përmasa më të mëdha dhe u kthye në temën më të debatuar,  në muajin tetor pas dëshmisë së policit në komisariatin e Fushë-Krujës, Emiljano Nuhu i cili deklaroi se ishte kërcënuar me pistoletë në kokë për të mbyllur dosjen e hapur për akuzën e përdhunimit në ngarkim të djalit të deputetit të Partisë Socialiste, Rahman Rraja.

Ai akuzoi vëllain e deputetit se i ka vënë pistoletën në kokë, vetë deputetin Rraja, kryebashkiakun Artur Bushi dhe Taulant Ballën se ishin në mesin e 10 personave që e kërcënuan. N/komisari Emiljano Nuhudeklaroi se u kërcënua prandaj u arratis nga Shqipëria në datë 13.09.2018 duke braktisur detyrën, ndërsa kërkoi azil në Zvicër.

Kryetari i grupit të PS Balla, deputeti Rraja dhe kryebashkiaku Bushi kanë mohuar akuzat, ndërsa edhe vetë vajza mohoi të gjitha pretendimet e ish-oficerit të policisë.

Report Tv publikoi  ekspertizën mjekoligjore të kryer në trupin e 25-vjeçares, Xhisiela Maloku, në momentin që ajo ka bërë denoncimin ndaj ish të dashurit të saj Rexhep Rraja. Në këtë akt ekspertim një element i rëndësishëm për hetimin thuhet se ka pasur dëmtime në trup me mjet mbretës dhe cigare, por vajza e tërhoqi denoncimin, ndërsa më pas shpjegoi edhe arsyet duke dalë “LIVE” në disa nga TV më të rëndësishme në vend. Ajo hodhi poshtë gjithçka duke shokuar mbarë opinionin publik.

2.Arrestimet e shumta të bandave, ndër to ish-deputetë të PS-së dhe ish-drejtorë. Përfshirja e kryebashkiakur të Durrësit Vangjush Dako 

Policia e Shtetit organizoi një operacion i cili u konsiderua një ndër më të sukseshmit pasi u shkatërruan disa grupe kriminale.  Në pranga ra edhe ish-deputeti i PArtisë Socialiste Arben Ndoka ku policia njoftoi se ai dyshohet për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve”, “Shpërdorimi i tokës”, në kuadër të një grupi kriminal, të përfshirë në tjetërsim tokash. Hetimi disa mujor ka mbledhur prova dhe se ky grup kriminal dyshohet si i implikuar në abuzimet me troje shtetërore në zonën e Lezhës dhe Kurbinit, përmes falsifikimit të dokumenteve e vulave etj.

Një tjetër i arrestuar ishte edhe ish-drejtori i burgjeve Arben Çuko i cili dyshohet se është i përfshirë në korrupsion pasiv, gjatë kohës që ushtronte detyrën.  Burimet nga grupi i hetimit tregojnë se Çuko dyshohet se ka marrë para për dhënien e lejeve për të dënuarit gjatë kohës që ai drejtonte institucionin e burgjeve.Emri i tij doli gjatë përgjimeve të një të dënuari. Çuko u shkarkua nga detyra gati dy muaj më parë dhe u zëvendësua nga Stefan Çipa.

27 persona u arrestuan ndërsa 6 të tjerë u shpallën në kërkim në aksionet që angazhuan rreth 1500 forca të policisë, dhe u kryen rreth 100 kontrolle banesash. Arrestimet masive erdhën pas zbulimit të një laboratori të përpunimit të heroinës në një fshat të Hasit, ku veç personave të përfshirë drejtpërdrejt në ndërtimin dhe punën në laborator, u arrestuan edhe personat e grupeve kriminale me bazë kryesisht në Shijak, që dyshohet se janë porositës të lëndës narkotike që ëmë tej bënin trafikun e saj jashtë Shqipërisë.

Gjithashtu është goditur banda e “Avdylajve” dhe  Si pjesë e dosjes “Avdulaj”, Prokuroria po heton edhe për personin me emrin “xhuxhi” që del në përgjimet e Prokurorisë të kryera në dy vite. Dyshimet janë se bëhet fjalë për kryebashkiakun e Durresit, Vangjush Dako, emri i të cilit përmendet në dosje gjatë komunikimeve me personazhe kryesorë të dosjes së trafikantëve të drogës në Shijak.

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur hetimet për kryetarin e bashkisë Durrës Vangjush Dako, i cili dyshohet se shfaqet duke komunikuar me anëtarë të grupit “Avdylaj” dhe është publikuar edhe biseda mes tij dhe bandave.

Është arrestuar gjithashtu  në Tiranë Safet Bajri (Rustemi), i njohur edhe si “i forti” i Shkodrës. Arrestimi është kryer në zonën e ‘Xhamllikut’ nga policia e kryeqytetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe prokurorinë e Shkodrës. Operacioni ka goditur fisin Bajri dhe janë sekuestruar armë dhe drogë, por nuk dihet sasia dhe cfarë lloji, pasi operacioni është ende në vijim. Policia e Shtetit ka deklaruar se ditën e sotme do të ketë një deklaratë për mediat në mbyllje të operacionit. Ndërkohë që në kuadër të këtij operacioni janë arrestuar disa persona edhe në Belgjikë dhe në Angli.

3.Dorëheqja e Fatmir Xhafës

Një lajm i bujshëm ishte gjithashtu edhe dorëheqja  e Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafa. Lajmin e dha kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjetet sociale i cili njoftoi se ka pranuar dorëheqjen e Xhafajt, duke e falenderuar atë për kontributin në krye të dikasterit më të rëndësishëm të vendit.

Kreu i qeverisë njoftoi gjithashtu edhe emrin e ministrit të ri të Brendshëm i cili vjen nga radhët e Forcave të Armatosura dhe mban gradën ‘Gjeneral’. Pasardhësi i Fatmir Xhafajt do të jetë Gjeneral Sandër Lleshi, që aktualisht mban detyrën e këshilltarit për sigurinë pranë kryeministrit. Rama i inkurajon ministrin e ri për arritjen e rezultateve pozitive në krye të dikasterit, pasi sipas tij, “traseja” është e shtruar.

“Pranova dorëheqjen e ministrit Xhafaj, të cilin e falenderoj për kontributin e çmuar. Gjeneral Sandër Lleshi do të sjellë një energji të re pozitive në krye të Punëve të Brendshme. Traseja është e shtruar. Tani duhet rritur shpejtësia dhe duhen arritur rezultate edhe më domethënëse.”

Edhe ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, në një reagim në rrjetet sociale, ka sqaruar dorëheqjen e tij ku shprehet se ky vendim është marrë me vullnet të lirë dhe nuk ka asnjë prapaskenë.

Xhafaj ndërkohë sfidojë edhe opozitën, të provojë qoftë edhe një akuzë kundër tij.

“Këto orë kam marrë me qindra mesazhe vlerësimi dhe respekti për punën e bërë, nga qytetarë të vendit tim, por edhe miq e partnerë me të cilët punova. Një pjesë e madhe nga socialistë, me të cilët kam bërë rrugë të gjatë në jetën time. Shumica dërrmuese e mesazheve nga njerëz të panjohur prej meje.

Ju jam sinqerisht mirënjohës për këto mesazhe inkurajuese. I siguroj të gjithë se dorëheqja ime është tërësisht me vullnetin tim të lirë dhe e bazuar në principe dhe vlera njerëzore e institucionale. Ajo është tërësisht respekt për veten, e për këto standarde të shenjta për mua.

Opozita me komentet për dorëheqjen time konfirmon edhe një herë degradimin e saj politik. Fatkeqësi për ata vete, por edhe për qytetarët. I sfidoj ata e cilindo, tanimë që nuk do të jem më ministër të provojnë akuzat e bëra ndaj meje si ministër.

Përbuz shpifjet e komentet neveritëse të kujtdo që nuk mund të kuptojë dot se ka edhe njerëz në politikë, që mund të jenë të lirë e vetvetja, në çfarë mendojnë e çfarë bëjnë. Ligësinë e pafytyrësinë e tyre thjesht e neveris me heshtjen time. Koha mbetet gjykatësi më i mirë për cilindo”, tha Xhafaj në reagimin e tij.

 

  1. Mbyllja e basteve

Mbyllja e lotove dhe pikave të basyeve ishte një lajm i cili bëri bujë të madhe. Kishte shumë prej atyre që e mbështetën këtë vendim të qeverisë Rama por kishte të tjerë si opozita shqiptare që e konsideruan këtë veprim si favorizim i Ramës për kompaninë e të vëllait.

Kryeministri Edi Rama njoftoi ndryshimin që do bëhet në ligjin për lojrat e fatit.  Nga 31 dhjetori i vitit 2018, me ligjin e ri, do të ndalojnë së funksionuari të gjitha kazinotë elektronike si dhe do të mbyllen të gjitha pikat e basteve.

Të gjitha këto biznese që nga 1 janari do të largohen në periferi. Rama i prezantoi ndryshimet e ligjit në një konferencë për median në kryeministri.

Edi Rama: “Sipas ligjit duke nisur nga 31 dhjetor i këtij viti do të pushojnë së funksionuari të gjitha kazinotë elektronike.  Ndryshimi i sotëm përfshin edhe bastet sportive, si edhe çdo lloj basti për çdo garë të ashtuquajtur në pistë, kuaj, qen apo çdo lloj skllavi të faunës shqiptare.

Tej argumentave të biznesit, të të punësuarve, të të ardhurave të cilat për hir të vërtesës të cilat janë dyfishuar në raport me të shkuarën, 54 milionë dollarë nga rritja e formalitetit dhe nga taksat përmes formalizimit, pavarësisht se 40 kompani kishte në të shkuarën dhe mblidheshin gjysma e taksave, tani ka 20 dhe mblidhen dyfishi i taksave, në territorin e Republikës së Shqipërisë nga 1 janari nuk do të ngrihet asnjë qepen për baste.

Dhe ashtu siç është përcaktuar në ligjin ekzistues nuk do ngrihet  më asnjë qepen për kazino elektronike në asnjë zonë të banuar në 28 mijë kilometër katror të Republikës së Shqipërisë.

 

5.Vrasja e 35-vjeçarit grek Kostandinos Kaçifa

 Policia e Shtetit dhe Forcat RENEA njoftuan se 35-vjeçari, Kostandinos Kaçifa,  që hapi zjarr ndaj tyre mbeti i vrarë në Bularat të Gjirokastrës.Lajmin për vrasjen e bëri publik Policia e Shtetit përmes një njoftimi të shpërndarë për mediat, ndërsa përshkruante të gjithë veprimet para se të ndodhte ekzekutimi i 35-vjeçarit.

Policia njoftoi se:

Forcat RENEA janë vënë në ndjekje të tij. Në faqen e malit mbi depon e ujit të fshatit Bularat, shtetasi Kostandinos Kaçifa është lokalizuar nga forcat speciale.Forcat RENEA i kanë bërë thirrje të hedhë armën dhe të dorëzohet, por shtetasi Kaçifa nuk i është përgjigjur thirrjes së herëpashershme të policisë, por ka hapur zjarr me armë duke rrezikuar seriozisht jetën e efektiveve edhe për shkak të terrenit ku mundësia e mbrojtjes ishte e ulët.

Forcat RENEA janë kundërpërgjigjur dhe gjatë shkëmbimit të zjarrit ka mbetur i vrarë shtetasi K. Kaçifa. Në vendngjarje ka mbërritur grupi hetimor ku vijojnë veprimet e tjera, nën drejtimin e Prokurorisë”.

Vrasja e ushtarit grek në Gjirokastër përplasi Tiranën me Athinën. Menjëherë pas vrasjes së Konstantinos Kacifas, Ministri i Jashtëm grek, post që mbahet nga kryeministri Tsipras kërkoi nga autoritetet shqiptare sqarimin e plotë të rrethanave të vrasjes së 35-vjeçarit grek, ndërsa e cilësoi ngjarjen si të papranueshme.

“Dyshohet se Konstantinos Kacifas hapi zjarr me një kallashnikov ndaj makinës së policisë shqiptare, e cila ishe në operacion për arrestimin e tij. Shprehim keqardhjen tonë të thellë për vdekjen shtetasit grek, ngushëllime për familjen. Në çdo rast, është e papranueshme humbja e një jete. Ne presim që autoritetet shqiptare të sqarojnë plotësisht rrethanat në të cilat u vra shtetasi grek dhe më pas do të marrim masat e duhura menjëherë.”

Ministria e Jashtme e Greqisë

Përpos qeverisë ka reaguar edhe opozita greke për vrasjen e ushtarit grek në Gjirokastër. Shefi i departamentit të jashtëm të Demokracisë së Re, Jorgos Koumoutsakos në një reagim për mediat shprehet se 35-vjeçari u vra teksa po festonte duke ngritur flamurin grek në varrezat e të rënëve në Bularat.

“Konstantinos Katsifas po festonte duke ngritur flamurin grek në varrezat e të rënëve grekë në Bularat, por e pagoi me jetën e vet manifestimin e ndjeshmërisë patriotike. Qeveria greke të kërkojë menjëhershëm të ngjarjes“ thotë shefi i marrëdhënieve me jashtë i Demokracisë së Re.

Duke iu përgjigjur Athinës, kryeministri Rama në një status në rrjetet sociale thotë se 35-vjeçari ishte një ekstremist i fantaksur, ndërsa ka një apel për autoritetet greke.

“Fqinj të dashur! Në vend ta quani të papranueshme humbjen e jetës së një të fandaksuri që qëlloi me plumba luftarakë mbi policinë tonë, e cila bëri vetëm detyrën e saj, bashkohuni me ne në falenderimin e Zotit që asnjë jetë e pafajshme nuk humbi sot nga marrëzia ekstremiste”

Edi Rama

Ndërkohë që Ministria e Jashtme shqiptare ka reaguar duke shprehur keqardhjen për politizimin e pajustifikueshëm të ngjarjes në shtetin fqinj. Ministria e Jashtme thotë se ngjarja e sotme ishte totalisht e izoluar dhe një rast flagrant agresioni ekstremist ndaj Policisë së Shtetit Shqiptar, ndërsa shpreh zhgënjimin se përse Athina nuk dënon sulmin me armë ndaj forcave tona të rendit.

Këto  lajme u zgjodhën dhe u rënditën duke u bazuar në impaktin që paten në shoqëri dhe kohës televizive që iu kushtua secilit prej tyre.Theksoj që është vlerësim personal dhejo i bazuar në statistika zyrtare.

/Blitz.al/

Senad Ujkaj

 

 

 

Share