Blitz

 Breaking News

Partizani prezanton Çanin: “Jam këtu për të fituar titullin”

Partizani prezanton Çanin: “Jam këtu për të fituar titullin”
August 07
12:47 2017

Ekipi i Partizanit ka prezantuar futbollistin më të ri, sulmuesin shqiptar Edgar Çani të cilin e bleu nga Pisa në Itali.

Çani në bazë të kontratës së nënshkruar do të përfitojë 20 mijë euro në muaj për 2 vjet, që përkthehet në faktin se ai bëhet tani e tutje futbollisti më i paguar i Superligës Shqiptare.

“Po, është e vërtetë, Partizani më ka kërkuar edhe më parë, por këtë herë këmbënguli më shumë për mua dhe e pranova ofertën e klubit kryeqytetas, duke parë edhe projektin që ka. Klubi ka pretendime serioze, kërkon titullin pas shumë vjetësh dhe unë vendosa të vij për ta ndihmuar këtë ekip. Më ka pëlqyer projekti, që ma ka shpjeguar edhe Moggi, me të cilin kam komunikuar disa herë. Nuk e njoh mirë futbollin shqiptar, sepse kam jetuar në Itali, por kam parë disa ndeshje dhe kam krijuar një imazh. Nuk kam objektiva personalë për sa i përket numrit të golave, por dua të ndihmoj klubin të arrijë atë që do. Më pëlqen konkurrenca, nuk i frikësohem. Do të ishte bukur të shpallem kampion me Partizanin. Nuk kam pasur oferta të tjera në kampionatin shqiptar dhe tani mendoj vetëm për Partizanin, kam firmosur një kontratë 2-vjeçare, dua të jap maksimumin këtu. Trajnerin Iuliano e njoh, sepse ka drejtuar disa skuadra në Itali. Konkurrenca? Natyrisht, më pëlqen dhe jam gati të jap më të mirën.

Tifozët presin titullin dhe ishallah dalim kampionë”,- ka thënë Çani në prezantimin para gazetarëve.

Ndërkohë që për afrimin e Edgar Çanit ka folur edhe drejtori i Partizanit, Genc Tomorri.

“Merkato zyrtarisht përfundon më datën 31 gusht, çka do të thotë se ne jemi duke punuar dhe do të vazhdojmë të punojmë deri në ditën e fundit. Këtë vit do të jetë një kampionat i fortë, konkurrenca është e madhe. Ne kemi marrë më të mirët në këtë periudhë merkatoje. Çanin të gjithë trajnerët do ta dëshironin ta kishin në ekip, por tashmë ai është me ne. Duhet të punojmë me sulmin nëse duam gola”, – ka thënë drejtori i Partizanit, Genc Tomorri.

 

/Blitz.al/

Share