Blitz

 Breaking News

“Nuk keni ujë? Pini Coca-cola!”- profesor Fuga ironizon vendimin e bashkisë për rritjen e çmimit të ujit

“Nuk keni ujë? Pini Coca-cola!”- profesor Fuga ironizon vendimin e bashkisë për rritjen e çmimit të ujit
July 27
09:08 2017

Është miratuar dje në këshillin bashkiak të Tiranës, me asnjë votë kundër e asnjë abstenim, plani i Bashkisë së Tiranës për rritjen e çmimit të ujit të pijshëm me 20 lekë për m3: nga 45 lekë/m3 në 65 lekë/m3.

Plani është votuar pro bashkë me propozimet e PDIU-së, të ngjashme me ato të LSI-së.

Kreu i këshilltarëve të PS-së tha se plan-biznesi i UKT-së tashmë i kalon ERU-së dhe janë ata që parashikojnë vendimin, që vendosin çmimin. “Por ne kemi këtë çmim në plan-biznes”,- shtoi ai.

Përfaqësuesi i LSI-së tha se nuk është problem i madh rritja e çmimit të ujit në këtë masë. Ai kthehu në vëmendje edhe kushtet e LSI-së, për të cilat tha se janë marrë parasysh.

Ndërkohë, këshilltarët e djathtë braktisën mbledhjen fill pas nisjes së saj.

Për këtë vendim ka reaguar akademiku Artan Fuga, i cili ironizon duke thënë se tashmë qytetarët tani e tutje të votojnë me gurmazin të tharë nga etja.

 

REAGIMI I PROFESORIT

Çmimi i ujit.

——–
Çmimi i ujit që pimë, lahemi, përdorim nëpër dushe, WC, bëjmë supën, taratorin, dhallin, dje u përcaktua nga:

Shkalla e amoralitetit politik brenda një grupimi këshilltarësh, pra atyre të LSI-së.

Shkalla e korruptimit politik nga administrata.

Marrëdhënia e bashkisë me mediat.

Numri i militantëve gjoja protestues te shkallët e bashkisë.

Paaftësia e opozitës për veprim politik.

Etj. dukuri jo ekonomike.

E kuptoni o njerëz se në çfarë derexheje ka arritur menaxhimi i hapësirave  urbane?

Ekonomia dhe administrimi nuk përcaktohen nga nevojat tona, nuk drejtohet nga logjika ekonomike, por thjesht nga trafiqet e influencave politike dhe nga humori i individëve që as i njohim, as na njohin, as i kemi zgjedhur, as na përfaqësojnë.

Por vazhdoni flini, bëni gjumin e vapës dhe blini ujin në dyqan se ai është çmimi i vërtetë i ujit që na kanë hedhur si dush i ftohtë mbi kokë kryetarët e bashkive në këto njëzet vjet.

Flini dhe votoni me gurmazin të tharë nga etja!

Nuk keni ujë? Pini Coca-cola!”- përfundon profesori.

/Blitz.al/

Share