Blitz

 Breaking News

Nga yll i Juventusit te problemet me drogën, kush është Mark Iuliano, trajneri i përfolur për Partizanin

Nga yll i Juventusit te problemet me drogën, kush është Mark Iuliano, trajneri i përfolur për Partizanin
July 20
12:40 2017

Partizani ka mbetur pa trajner dhe në këto ditë të nxehta korriku përfliten disa emra për të marrë drejtimin e të kuqve.

Mes disa emrave të përmendur, më i përfoluri është ai i ish-lojtarit të Juventusit Mark Iuliano, i cili duket se është premtuar nga Luciano Moggi me të cilin ekipi tiranas bëri një marrëveshje bashkëpunimi pak muaj më parë.

Nga thashethemet që qarkullojnë pranë këtij ekipi, duket se zyrtarizimi i Mark Iulianos pritet të jetë një çështje ditësh, pasi është rënë dakord.

Por kush është Mark Iuliano?

Ai është një emër i madh në futbollin italian, i cili ka fituar 4 tituj kampionë me Juventusin në Serinë A dhe ka zhvilluar 19 ndeshje me Kombëtaren e Italisë në pozicionin e mbrojtësit.

Së fundmi ka qenë trajner i Como-s, ndërsa më parë ishte trajner i Latinas dhe i të rinjve të Pavias.

Iuliano mbahet mend nga të gjithë për incidentin me Ronaldon në vitin 1998, kur Ronaldo u rrëzua bashkë me Iulianon në zonën e 16 metrave dhe nuk iu akordua penallti. Për shkak të asaj ndeshjeje, Interi humbi kampionatin.

Iuliano ka kaluar shumë probleme me varësinë nga droga në vitet e fundit të karrierës së tij në fushat e futbollit.

“Kisha probleme me prindërit dhe isha në fund të karrierës. Nga errësira provova të dilja duke shkatërruar veten. Nuk ishte doping, ishte vetëm shkatërrim i vetvetes. Kërkova ndihmë te ata që më rrethonin. Gruaja ime e mrekullueshme dhe familja e saj më kanë shpëtuar. Tani ndjek rrugën time. Nuk do ta kisha këtë ekuilibër që kam sot nëse s’do kisha kaluar nga ato momente të vështira”,- ka treguar Iuliano pak kohë më parë në një intervistë për mediat italiane.

Share