Blitz

 Breaking News

“Kushërira ime trime, lamtumirë!”- Mimoza Hafizi shpreh dhimbjen për vrasjen e gjykatëses

“Kushërira ime trime, lamtumirë!”- Mimoza Hafizi shpreh dhimbjen për vrasjen e gjykatëses
August 31
21:19 2017

Mes dhjetëra reagimeve në rrjete sociale e jo vetëm për vrasjen barbare me 2 plumba në kokë të gjyqtares Fildes Hafizi ditën e sotme në zonën e Xhamllëkut në Tiranë, ka reaguar edhe deputetja Mimoza Hafizi.

Si kushërirë e të ndjerës, Mimoza shpreh dhimbjen e madhe për vrasjen e pabesë, ndërsa shkruan se Fildesi ishte vajzë e rrallë që dashuronte jetën, fëmijët e prindërit.

Gjithashtu ajo shkruan se buzëqeshja e Fildesit do të çajë murin e zi të vdekjes për t’u ndritur 2 prindërve të mjerë.

REAGIMI I PLOTË

Fildes Hafizin e vranë sot pabesisht. Ishte vajzë e rrallë. E donte shumë jetën, adhuronte fëmijët e prindërit, admironte profesionin, respektonte dijen, i përkushtohej karrierës, përbuzte injorancën, përçmonte apatinë, sfidonte stërmundimin. U diplomua juriste, magjistrate, gjykatëse duke rritur dy fëmijë. E thuri me mund ëndrrën e vet. Që sot ia prenë egërsisht.

Jam shumë larg e s’mund të shkoj t’i hedh një grusht dhé lamtumire. Me dhimbjen për vitet e pajetuara, me brengën e një vdekjeje që nuk e shmangëm dot, me jehonën e klithmave të saj për ndihmë, me revoltën ndaj sistemit që kemi ngritur.

Por e di se buzëqeshja e saj e bukur do çajë murin e zi të vdekjes për t’iu bërë dritë dy prindërve të mjerë e dy fëmijëve të dashur. Se u duhet që t’ia shohin kuptimin jetës edhe pa sytë e Desit.
Lamtumirë kushërira ime trime!

Share