Kreditë e buta nga Bashkia e Tiranës, nga janari nisin procedurat e përfitimit. Ja rregullat dhe dokumentacioni i nevojshëm
Pas procedurës që prej dy vitesh ishte bllokuar për shkak të mungesës së fondeve, Bashkia e Tiranës ka vendosur që prej muajit janar të vitit të ardhshëm të hapë procedurën e përfitimit të kredive të buta për strehim.
Mësohet se do të vendoset në dispozicion shuma prej 1 milion dollarësh, çka do të thotë se bankat do të gjenerojnë mbi 60 milionë dollarë në tregun imobilar. Dy mijë familje do të marrin apartamentet e tyre në Tiranë, pasi të përmbushin dokumentacionin e nevojshëm, të publikuar nga “Shekulli”.
Prioritet do të kenë familjet në shtëpitë e ish-pronarëve dhe çiftet e reja me moshë të përbashkët nën 55 vjeç.
Dokumentacioni
– Certifikata e lindjes së aplikantit dhe certifikata e gjendjes familjare.
– Vërtetimi për vendbanimin në bashki ose leja e banimit për familjet që kanë lëvizur nga zona të tjera të vendit.
– Vërtetimi i të ardhurave neto dhe bruto (vërtetim punësimi), shoqëruar me vërtetimin nga Drejtoria Rajonale Tatimore për derdhjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
– Dokumenti nga organet tatimore dhe ato të sigurimeve shoqërore për derdhjen e kontributeve, për të gjithë anëtarët e vetëpunësuar të familjes.
– Vërtetimi nga zyra e ndihmës dhe përkujdesjes pranë njësive të qeverisjes vendore për anëtarë, të përshirë në programin e ndihmës ekonomike dhe të pagesës për personat me aftësi të kufizuar.
– Vërtetimi nga zyra e punës e njësisë vendore përkatëse për personat e përfshirë në programin e pagesës së papunësisë.
-Vërtetimi nga organet e sigurimeve shoqërore për personat në pension.
-Vërtetimi nga ZRPP se familja apo ndonjë anëtar i saj nuk disponojnë në pronësi banesë a ndonjë mjedis, që mund të përdoret si e tillë.
– Vërtetimi nga ZRPP për sipërfaqen e pronës, që zotëron familja apo ndonjë anëtar i saj, kur banesa është me sipërfaqe nën normat nën fuqi të strehimit.
– Vërtetimi nga ZRPP të origjinës se nuk figuron e regjistruar asnjë pronë, e cila mund të përdoret edhe për strehim, për familjet që kanë ndryshuar vendbanim për efekt punësimi, për të gjithë anëtarët e familjes.
– Dokumenti zyrtar i celebrimit dhe certifikatat personale, për efekt të llogaritjes së moshës, për çiftet e reja.
– Vendimi i gjykatës që i lë në ngarkim fëmijën ose fëmijët për çiftet e divorcuara, shoqëruar me vërtetimin nga zyra e përmbarimit për masën e pensionit që përfitojnë për fëmijët.
– Vërtetimi përkatës nga institucioni ku ka qenë i strehuar dhe librezën e jetimit, dhënë nga institucioni shtetëror i autorizuar, për individët me statusin e jetimit.
– Vërtetim nga komisioni mjekësor për përcaktimin e aftësisë së kufizuar, për individë me aftësi të kufizuar.
– Nëse jetoni në një banesë me kushte jo të mira ose që rrezikon shembjen, kopja origjinale e vërtetimit e lëshuar nga shërbimet teknike të bashkisë.
– Dokumenti i lëshuar nga institucionet përkatëse shtetërore për personat që kanë statusin “emigrant”, “punëtor emigrant” dhe azilkërkues.
– Dokumenti i lëshuar nga institucionet përkatëse shtetërore për familjet e punonjësve të rënë në detyrë, që u përkasin Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës etj.
– Dokumenti i lëshuar nga institucionet përkatëse për viktimat e dhunës në familje.
– Urdhri i mbrojtjes i lëshuar nga gjykata e rrethit gjyqësor, seksioni familjar (fotokopje e njehsuar me origjinalin)
– Vërtetim i marrë nga Qendra Kombëtare e Shërbimit të Përkujdesit Shoqëror për viktimat e dhunës në familje, e ngritur nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.
– Vërtetim nga strukturat e shërbimit social, qendrave sociale dhe rehabilitimit për viktimat e dhunës pranë njësive të qeverisjes vendore.
Sistemi i pikëzimit
– Familje që banojnë në shtëpi me ish-pronarë – 20 pikë.
– Familje që kanë humbur shtëpitë në firmat piramidale – 15 pikë.
– Familje që bëhen të pastrehë (shembje banese informale, lirim objektesh me funksione publike), për shkak të zbatimit të projekteve publike e ndërtimit të veprave me interes publik – 15 pikë.
– Çiftet e reja në moshë mesatare totale deri në 55 vjeç – 15 pikë.
– Individë me statusin e jetimit që nga çasti i daljes nga jetimoret ose nga qendrat e përkujdesit e deri në moshën 30 vjeç – 10 pikë.
– Familjet me shumë fëmijë (me më shumë se dy fëmijë) – 10 pikë.
– Individët, të cilët gëzojnë statusin e të verbrit të grupit të parë; invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik; të invalidit të punës; të invalidit të LANÇ-it dhe statusin e veteranëve të luftës – 5 pikë.
- Sa u takon të ardhurave mujore, kufiri që do t’ju bëjë përfitues do të bazohet në vlerën e banesës së ndërtuar ose të blerë në treg dhe në aftësinë paguese të familjes. Ndërkaq, përcaktohet se nivel i pranueshëm do të merret pagesa e kësteve mujore të kredisë, e cila nuk duhet t’i kalojë 35% të të ardhurave të familjes. Të ardhurat e familjes, pas pagesës së kësteve të kredisë, nuk duhet të bien më poshtë se niveli i plotë i ndihmës ekonomike të miratuar nga Këshilli i Ministrave.
/Blitz.al/