Blitz

 Breaking News

Kini kujdes! Thirrja për para e Kristina Shirës për fëmijën që ka thyer shtyllën kurrizore është një mashtrim!

Kini kujdes! Thirrja për para e Kristina Shirës për fëmijën që ka thyer shtyllën kurrizore është një mashtrim!
October 26
13:37 2018

Pak kohë më parë, në media ka qarkulluar apeli i një nëne e cila kërkonte ndihmë për djalin e saj Orgiton, për të cilin supozohej se kishte thyer shtyllën kurrizore dhe i duheshin para për operacionin.

Fillimisht, Kristina Shira (nëna e fëmijës) kishte shkuar në redaksinë e gazetës “Panorama” ku kishte treguar se djali i saj kishte rënë nga ballkoni i katit të dytë në kopshtin që frekuentonte dhe prej një viti nuk mund të ecte. Nëna bënte apel për ndihmë pasi nuk kishte mundësi ekonomike dhe i duheshin plot 9000 euro për operacionin e të birit. Pas kësaj, lajmi është përhapur me shpejtësi edhe në media të tjera.

 

Rasti i Orgitos preku zemrat e shumë shqiptarëve, të cilët kanë dashur ta ndihmojnë, por në fund çdo gjë rezultoi një mashtrim! Pak minuta më parë, në redaksinë e Blitz.al ka ardhur një mesazh nga një person i cili kishte dashur të ndihmonte zonjën në fjalë.

Personi kishte dhënë 1 mijë euro në ndihmë të kësaj nëne, ose më saktë mashtrueseje dhe kishte filluar t’u tregonte historinë personave të tjerë për t’i ardhur në ndihmë kësaj familjeje. Por para se njerëzit e afërm të këtij personi të dhuronin të ardhurat e tyre, kishin vendosur të bënin një verifikim: Kishin shkuar në spitalin privat ku do të bëhej operacioni dhe kishin pyetur për emrin e vogëlushit, i cili nuk rezultonte. Pas kësaj, e kapur në befasi,  Kristina Shira kishte treguar të vërteten duke thënë se e gjithë historia ishte një mashtrim dhe këtë e kishte bërë për arsye personale. Në fund ajo ka treguar se është shtatzënë, por nuk ka asnjë fëmijë tjetër dhe për më tepër fëmijën e sëmurë që ajo fliste.

Vetë mënyra se si Kristina kishte ndërtuar skemën e mashtrimit na la me gojë hapur. Pas këtij denoncimi, ne të Blitz.al tentuam të kontaktonim me Kristinën, por numri i telefonit që kishte vënë për të marrë ndihmat financiare ishte i fikur.

Ditët e sotme, shumë njerëz kërkojnë ndihmë në rrjetet sociale për shkak të problemeve shëndetësore të personave të afërm, por duhet të keni kujdes!

Përpara se të ofroni ndihmën tuaj verifikojeni që kjo histori është reale, në mënyrë që të mos bini pre e mashtrimeve si rasti i lartpërmendur. /Blitz.al/

 

 

Share