Blitz

 Breaking News

Gruevski hyri në Shqipëri nga Bllata? Dyshohet se u mor në Dibër nga makina e Ambasadës hungareze

Gruevski hyri në Shqipëri nga Bllata? Dyshohet se u mor në Dibër nga makina e Ambasadës hungareze
November 16
17:08 2018

Ish-Kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski  dyshohet se ka përdoruar pikën doganore të Bllatës në Dibër për të hyrë në territorin shqiptar me 11 Nëntor.

Burime të policisë thonë se kalimi i tij është bërë në mënyrë ilegale pasi në asnjë nga pikat kufitare nuk rezulton që ai të ketë kaluar. Zyrtarisht, policia shqiptare nuk ka ende një version zyrtar për mënyrën se si e kaluar kufirin ish –Kryeministri që po kërkohet për të vuajtur dënimin me 2 vjet burg.

Ai nuk figuron i regjistruar në sistemin TIMS në hyrje, por vetëm në dalje, në të njëjtën ditë, mbrëmjen e 11 Nëntorit, në pikën e kalimit të Hanit të Hotit. Dyshohet se në Bllatë ai ka kaluar nga kufiri i gjelbër dhe është pritur nga i njëjti automjet i ambasadës hungareze, me targe CD 1013 A.

Policia mësohet se do të verifikojë kamerat dhe librat e shërbimit në pikat kufitare për të saktësuar nëse ka pasur shkelje në kalimin e Gruevskit, ndonëse zyrtarisht ajo konfirmoi një ditë më parë se në momentin e kalimit të tij në Han të Hotit, ai nuk rezultonte i shpallur në kërkim.

Kërkesa e Interpol Shkupit ka mbërritur në zyrën e Interpol Tiranës me 13 Nëntor, pra dy ditë pas kalimit të tij nëpër Shqipëri për t’u arratisur drejt Hungarisë, ku ka fituar strehim politik. Sipas sqarimit zyrtar të policisë, në kalimin e Gruevskit në Han të Hotit nuk ka pasur asnjë shkelje ligjore.

Por nëse hyrja e tij në Shqipëri është bërë pa u regjistruar në sistemin TIMS, atëherë konsiderohet se ai ka shkelur edhe ligjet e shtetit shqiptar, për kalim të paligjshëm të kufirit. Një hetim për mënyrën si arriti të arratisej ai nga Maqedonia, po zhvillon edhe policia maqedonase.

Burimi:Tv Klan

Share