Blitz

 Breaking News

Gjyqtarja Andrea u akuzua për korrupsion, kërkon gjykim të shkurtuar

Gjyqtarja Andrea u akuzua për korrupsion, kërkon gjykim të shkurtuar
January 13
16:44 2017

Nga Anduena Llabani

Gjyqtarja Majlinda Andrea dhe bashkëshorti i saj Odhise Andrea, të akuzuar për korrupsion pasiv, kërkojnë në Gjykatën e Lartë gjykim të shkurtuar. Kërkesa është depozituar sot në këtë gjykatë dhe në datën 17 janar pritet që kolegji penal të shprehet me vendim.

Odhise Andrea, bashkëshorti i gjykatëses së Gjykatës së Lartë Majlinda Andrea dhe vetë kjo e fundit, i kërkuan Gjykatës së Lartë zhvillimin e një procesi gjyqësor të shkurtuar.

Seanca gjyqësore është shtyrë për në datën 17 janar, ku edhe do të shqyrtohet kërkesa për ndryshimin e masës së sigurisë për të pandehurin Ilia Çabiri nga Saranda, i cili në cilësinë e përfaqësuesit të një familjeje ish-pronare kërkonte në Gjykatën e Lartë njohjen e një sipërfaqeje prone prej 470 hektarësh në zonën e Butrintit.

Katër nga të pandehurit në kuadër të procesit gjyqësor për ryshfetin prej 50 mijë eurosh për një çështje pronash në Butrint kërkojnë gjykim të shkurtuar.

Të akuzuar në këtë proces janë edhe Eleni Lino dhe Petraq Dashi. Sipas hetimeve të prokurorisë, Petraq Dashi ka nënshkruar një kontratë fiktive me të dyshuarit Ilia Çabiri dhe Eleni Lino, në bazë të së cilës ai deklaron se u huazon shumën prej 50 mijë eurosh.

Gjykata e Lartë ka ndryshuar masën e sigurisë për bashkëshortin e gjyqtares, Odhise Andrea, nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie”. Ai nuk qëndroi më shumë se 48 orë qeli pas dorëzimit në Drejtorinë e Policisë së Tiranës mbrëmjen e 9 janarit.  /Blitz.al/

Share