Blitz

 Breaking News

Fildes Hafizi, vrasje për pasion apo…? Zbulohet letra që babai i të ndjerës i ka dërguar ministrit të Drejtësisë

Fildes Hafizi, vrasje për pasion apo…? Zbulohet letra që babai i të ndjerës i ka dërguar ministrit të Drejtësisë
September 05
16:01 2017

Nga Anduena Llabani

Një letër që babai i të ndjerës dërgoi një vit më parë në Ministrinë e Drejtësisë hedh dritë mbi motivet që çuan Fadil Kasemin në ekzekutimin me një plumb në kokë të gjyqtares së Shkodrës.

Në këtë letër, babai i të ndjerës Fildes Hafizi, Benjamin Hafizi, rendit episode të dhunës psikologjike dhe kërcënimet me jetë që autori i vrasjes kishte bërë ndaj saj. Mes tyre përmendet edhe fakti që Fadil Kasemi nuk e kishte pranuar divorcin dhe e kishte kërcënuar bashkëshorten e tij të rikthehej në shtëpi tek ai, në rast të kundërt do ta vriste.

I kontaktuar në telefon, ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani thotë se në zyrën e tij brenda një viti kanë ardhur më shumë se 4000 letra nga populli dhe me rastin konkret nuk ishte njohur.

Blitz.al ka siguruar letrën që babai i gjyqtares i ka dërguar ministrit të Drejtësisë duke i kërkuar mbrojtjen e vajzës së tij.

“Jeta e Fildesit është në rrezik. Merreni në mbrojtje”, – shkruhet në letër.

Fildez Hafizi, 38 vjeç me profesion gjyqtare-magjistratë, ishte ndarë nga bashkëshorti i saj Fadil Kasemi dy vjet më parë. Ajo ushtronte profesionin si gjyqtare në gjykatën e rrethit gjyqësorë Shkodër dhe menjëherë pas divorcit denoncoi dhunën dhe kërcënimet që i vinin nga ish-bashkëshorti i saj.

Por pavarësisht kësaj, kërcënimet me jetë s’kishin ndalur, deri më 31 gusht kur ajo u qëllua me një plumb në kokë, brenda automjetit të saj nga ish-bashkëshorti. Autori pranoi vrasjen e saj, faktin që është vetëdorëzuar dhe ndjesën publike ndaj fëmijëve. Ai s’ka pranuar të japë asnjë shpjegim për shkaqet që e çuan në aktin final. Ndaj tij Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi një avokat kryesisht, pasi autori s’ka pranuar të përfaqësohet me mbrojtës në gjyq. Mësohet se ai kishte negociuar për të blerë armën me të cilën kreu vrasjen e ish-gruas së tij, nënë e dy fëmijëve.

Fadil Kasemi është i pari bashkëshort që do të marrë dënimin kapital për vrasje, pasi ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale nuk favorizojnë autorin edhe kur ai pranon krimin. /Blitz.al/

 

/Blitz.al/

 

Share