Blitz

 Breaking News

Edhe Kosova mund t’i “rrëmbejë” mjekët Shqipërisë, pagat 2-3 herë më të larta

Edhe Kosova mund t’i “rrëmbejë” mjekët Shqipërisë, pagat 2-3 herë më të larta
April 07
10:03 2019

Sistemi shëndetësor në Shqipëri është duke përjetuar një krizë të thellë besimi te trupa e mjekëve, e cila kohët e fundit ka shpërthyer në dhunë fizike ndaj tyre. Ky perceptim u vërtetua pak ditë më parë nga Indeksi Europian i Shëndetit (ECHI), i cili e renditi Shqipërinë në zonën e kuqe në hartën e Europës dhe të fundit në listë për vitin 2018, si vend me problematikë të lartë në sektorin e shëndetësisë. Indeksi vë në dukje se Shqipëria ka burime shumë të kufizuara të kujdesit shëndetësor, për rrjedhojë ka barrën e sëmundjeve më të lartën në rajon dhe numrin më të ulët të mjekëve për banorë. Por prisni, më e keqja ende nuk ka kaluar.

Punonjësit e shëndetësisë janë duke u larguar masivisht nga vendi, teksa stafet aktuale mjekësore në sistemin e shëndetësisë po plaken dhe perspektiva e zëvendësimit është e zymtë. Pagat në sektorin e shëndetësisë po rrinë në vendnumëro dhe eficenca e përdorimit të fondeve publike është cenuar nga disa koncesione të paprecedentë që thithin fonde kritike që do të mund të përdoreshin për një reformë të pagave të sistemit, kurse nevojat për shërbime të kujdesit ndaj shëndetit janë gjithnjë e në rritje, për shkak se popullsia e vendit po shkon drejt plakjes me hapa të shpejtë.

Me masat e marra së fundmi nga Qeveria Haradinaj, rrezikon që edhe Kosova të kthehet në një qendër graviteti për mjekët shqiptarë pasi, qeveria atje dyfishoi pagat për sektorin e shëndetësisë duke paguar me rreth 1.200 euro një mjek specialist dhe mbi 500 euro një infermier. Albatrit Matoshi, këshilltar i ministrit të Shëndetësisë në Kosovë tha për Monitor se, rritja e pagave ndaj personelit mjekësor, u aplikua për të frenuar emigrimin e trupës shëndetësore drejt Gjermanisë. Ai tha se, pas rritjes së pagave, largimi i mjekëve është frenuar dhe tani Kosova renditet ndër vendet e para në rajon për nivelin e lartë të pagave në sektorin e shëndetësisë.

Një mjek specialist në Shqipëri në shërbimin spitalor paguhet me pagë neto rreth 527 euro. Në shërbimin parësor shëndetësor, paga neto është 408 euro sipas të dhënave nga Ministria e Financave. Ndërsa në Kosovë, që nga ky vit, një mjek specialist në spital dhe në qendrat e kujdesit shëndetësor paguhet me pagë neto 1195 euro në muaj. Një mjek specialist në Kosovë merr 2.5 herë më shumë se një mjek nga Shqipëria. Rritja e pagave në Kosovë mund ta shndërrojë atë në një qendër të re graviteti për mjekët shqiptarë, të cilët për shkak të afërsisë gjeografike, mund të zgjedhin Kosovën për të ushtruar profesionin e tyre.

Me rritjen e fundit të pagave që Kosova ka aplikuar në fushën e mjekësisë, një infermier i parë në Kosovë merr pagë më të lartë se një mjek specialist në Shqipëri. Paga e një kryeinfermieri në Kosovë është 621 euro, ndërsa paga e një infermieri në spital, 537 euro. Vendet në rajon kanë gjithashtu paga më të larta se Shqipëria në sektorin e shëndetësisë. Burimet zyrtare në Ministrinë e Shëndetësisë pohuan se vetëm në 2 vitet e fundit (2017-2019) qeveria ka ndërmarrë rritjen më të madhe të pagave në sektorin e shëndetësisë me 17%.

Të njëjtat burime sqarojnë se për disa shërbime si Urgjenca, Reanimacioni etj., pagat për mjekët janë rritur deri në 25% vetëm në 2 vitet e fundit. Ministria e Shëndetësisë lajmëron se, duke filluar nga muaji prill, nis rritja e pagave me 7% të 18,416 punonjësve të shëndetësisë, nga e cila do të përfitojnë 4,650 mjekë dhe 13,765 infermierë, me një buxhet mbi 1 mld lekë. Ndërkohë është dyfishuar masa e bonusit për mjekët specialistë që japin shërbim në spitalet rajonale. Por duket se Kosova po tregohet më e qartë në politikat e saj kundër emigrimit të mjekëve.

Pagat u dyfishuan pikërisht për këtë arsye dhe fokusi është vënë në përmirësimin e infrastrukturës spitalore, duke investuar në pajisje dhe teknologji, tha Matoshi nga Ministria e Shëndetësisë së Kosovës. Autoritetet e shëndetësisë në Kosovë nuk i shohin koncesionet me Partneritet Publik – Privat si një formë për të përmirësuar situatën si në shërbime dhe në investime./Blitz.al/

Burimi: Monitor

Share