Blitz

 Breaking News

E akuzoi për vjedhjen e ujit në bizneset e tij, deputeti Qefalia padit këshilltaren e LSI-së Elona Guri

E akuzoi për vjedhjen e ujit në bizneset e tij, deputeti Qefalia padit këshilltaren e LSI-së Elona Guri
July 28
14:40 2017

Deputeti i Partisë Socialiste Xhemal Qefalia ka paditur këshilltaren e LSI-së, Elona Guri, pasi ajo e ka akuzuar se ka vjedhur ujin e pijshëm në bizneset e tij në Tiranë.

Qefalia u shpreh  se Guri gënjen dhe nëse nuk e vërteton këtë do ta padisë.

“Elona mashtron dhe gënjen! Po pres ta vërtetojë publikisht. Nëse nuk e vërteton këtë, unë do ta padis për shpifje e dezinformim publik. Nëse nuk e vërteton deri nesër, pasnesër e padis për shpifje”,- u shpreh Qefalia në fjalën e tij.

Elona Guri, anëtare e LSI-së në Këshillin Bashkiak të Tiranës, tha dje se ndër biznesmenët që vjedhin ujin është edhe Qefalia që është denoncuar nga qytetarët.

Por fill pas reagimit të Qefalisë dhe padisë së tij, ka reaguar sërish Guri, e cila është shprehur e gatshme të përballet me fakte me deputetin.

“As uji i pishinave te kompleksi i Dajtit nuk do t’i lajë zullumet e Xhemal Qefalisë. Në këtë gjyq jam në mbrojtje të interesave të qytetarëve dhe do përballemi me fakte”,- tha Guri.

“Qëndrimi im do të jetë në mbrojtje të interesave të qytetarëve dhe jo oligarkëve. Falënderoj Qefalinë për mundësinë që të vërtetoj shpërdorimet dhe lidhjet e paligjshme të ujit të pijshëm”,- përfundoi ajo. /Blitz.al/

Share