Blitz

 Breaking News

Durrës, vrau bashkëfshatarin me kosën e barit, shkaku: “I trembte peshkun”

Durrës, vrau bashkëfshatarin me kosën e barit, shkaku: “I trembte peshkun”
July 14
08:26 2017

Një ngjarje e rëndë u raportua të ndodhte dje në Durrës.

Në Jubë të Sukthit, një person qëlloi më kosën e barit bashkëfshatarin e tij duke e lënë të vdekur.

Konflikti i nisur për një zetor të parkuar buzë lumit në grykë- derdhjen e Erzenit ka përfunduar tragjikisht mes dy personave, krushqi me njëri-tjetrin, shkruan “Panorama”.

Sipas policisë, ngjarja që nisi për një zetor të parkuar në anë të një kanali vaditës mes dy bashkëfshatarëve ka përfunduar me një të vdekur.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur mëngjesin e së enjtes në fshatin Jubë të qendrës administrative të Sukthit.

Viktima, sipas policisë, është Ludovik Lala, 52 vjeç, i cili mësohet të ketë ndërruar jetë në spitalin e Durrësit, ndërsa autori i ngjarjes Asti Mici, 57 vjeç, është arrestuar tashmë nga uniformat blu.

Mësohet se dy bashkëfshatarët kanë nisur të konfliktohen për shkak të zetorit që viktima e kishte lënë pranë një kanali vaditës me qëllim që të mbushte ujë në lumë. Kjo nuk i ka pëlqyer autorit, i cili ndodhej në ato momente aty pranë për të kapur peshk.

Ai i ka kërkuar të largojë zetorin, pasi ishte duke i trembur gjahun (peshkun). Në momentin që ka hasur në kundërshtinë e tij, ai e ka qëlluar me kosë në pjesën e brendshme të kofshës, duke i dëmtuar arterien femorale.

52-vjeçari nuk i ka mbijetuar dot plagës së shkaktuar dhe ka ndërruar jetë në spital, pasi kishte humbur shumë gjak. Ndërsa autori, pak minuta pas ngjarjes, është vetëdorëzuar në polici duke pranuar krimin.

Sipas të dhënave, në vendin e ngjarjes mbërritën forca të shumta policie, të cilat nisën hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe bënë të mundur arrestimin e autorit, i cili po i priste në vend. Mici dhe Lala mësohet se kishin lidhje krushqish me njëri-tjetrin dhe rezulton që të mos kenë pasur debate apo konflikte të mëparshme.

Sipas dëshmitarëve nga vendi i ngjarjes, ata u konfliktuan për arsye banale, pasi autori i kishte kërkuar të spostonte zetorin disa metra më tutje, pasi ishte duke zhvilluar aktivitetin e peshkimit aty dhe mjeti i prishte punë. Këtë version ka dhënë për grupin hetimor edhe Asti Mici.

Share