Blitz

 Breaking News

Durrës- Thikë në kokë gjyshes, nipi pranon krimin

Durrës- Thikë në kokë gjyshes, nipi pranon krimin
September 28
09:32 2018

“E godita në gjaknxehtësi e sipër. Me gjyshen kishim debate të vazhdueshme, pasi jetonim të ndarë brenda shtëpisë”. Kjo ka qenë dëshmia tronditëse e 21-vjeçari Redmon Gruda, i cili akuzohet se ka vrarë gjyshen e tij 81-vjeçare Floresha Shkurti. Krimi makabër ndodhi dje në banesën e të moshuarës në lagjen 16 në Durrës.

Sipas Ballkanweb Gruda ka pranuar autorësinë e krimit. Pasi u shoqërua në polici, i riu rrëfeu para hetuesve të çështjes se pas vdekjes së babait, ai dhe nëna e tij ishin detyruar që të jetonin tek gjyshja (nëna e babait), me të cilën thotë se kishin debate të vazhdueshme. “Që kur vdiq babai nuk kemi shkuar mirë me gjyshen. Dje kemi patur një debat që çoi në këtë akt ekstrem”, tha Gedmon Gruda.

SI TENTOI NIPI TË FSHEHË PROVAT

Po ashtu Ballkanweb  ka arritur të zbardhë edhe detaje pak pas vrasjes së 81-vjeçares, dhe tentativat e nipit të saj për të fshehur krimin. Bazuar tek informacionet e grupit hetimor të çështjes, mësohet se i riu pak pasi kishte goditur për vdekje gjyshen e tij, ishte larë dhe më pas kishte ndërruar rrobat, të cilat i kishte lënë në një kovë në banjë. Pak pas këtij veprimi, djali kishte marrë në telefon urgjencën, ku kishte kërkuar një ambulancë për gjyshen e tij, duke thënë se ajo nuk ndihej mirë. Ndërkohë, në telefon kishte marrë edhe nënën e tij, të cilën e kishte vënë në dijeni për vdekjen e 81-vjeçares. Po ashtu djali kishte njoftuar edhe një shokun e tij që t’i shkonte në shtëpi, pasi kishte nevojë urgjente për të.

Sipas policisë ka dyshime që 21-vjeçari ka tentuar që të prishë provat e vrasjes së të moshuarës. Në momentin kur urgjenca shkoi në banesën e të viktimës, konstatoi se ajo kishte ndërruar jetë dhe se kishte një plagë të madhe në kokë, ndaj vuri në dijeni dhe policinë. Kjo e fundit shkoi në vendin e ngjarjes dhe shoqëroi në komisariat nipin e të moshuarës, i cili disa orë pasi u mor në pyetje pranoi edhe krimin.

Share