Blitz

 Breaking News

Denoncimi i Xhisiela Maloku, SHÇBA nis hetimet për 4 komisariate

Denoncimi i Xhisiela Maloku, SHÇBA nis hetimet për 4 komisariate
September 27
17:40 2018

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat pranë Ministrisë së Brendshme ka çelur një hetim për të sqaruar pretendimet e ngritura nga ish-oficeri i policisë Emiljano Nuhu të bëra publike gjatë së mërkurës, se ai ishte kërcënuar në zyrën e tij, në prani të deputetëve të Kuvendit, djalin e njërit prej të cilëve po e hetonte për përndjekje.

Burime pranë SHÇBA thanë për “BalkanWeb” se po verifikohen gjithë procedurat e ndjekura nga policia në lidhje me denoncimet e bëra për përndjekje nga 25-vjeçarja Xhisela Maloku, po ashtu edhe denoncimet për kërcënime nga ish-oficeri i policisë. SHÇBA ka zbarkuar në Komisariatet nr. 3 dhe 6 në Tiranë, si dhe stacionin e Fushë Krujës, duke sekuestruar librat e shërbimit.

Pasditen e së shtunës të datës 21 korrik 2018 në komisariatin nr. 3 është paraqitur 25-vjeçarja Xhisela Maloku e cila ka denoncuar për përndjekje ish-të dashurin e saj Rexhep Rraja. Sipas asaj që 25-vjeçarja ka thënë para uniformave blu konfliktet mes të rinjve kanë nisur në fund të vitit 2017, atëherë kur edhe lidhja e tyre ka marrë fund.

SHÇBA po bën hetim të thelluar për çështjen në fjalë. Po verifikohen procedurat shkresore të bëra në komisariatet 3, 6, Krujë dhe stacionin e policisë Fushë-Krujë. Po verifikohen librat e shërbimit në të katërt komisariatet për të vërtetuar pretendimet e oficerit Nuhu dhe vajzës.

Gjithashtu po verifikohen komunikimet e Nuhut me pjesëtarë të fisit Rrahja dhe  pritet të këqyren kamerat e sigurisë se lokalit në Unazë të Re, ku Nuhu pretendon se u kërcënua nga kushërinjtë e djalit të deputetit.

Burimi: Balkanweb

Share