Blitz

 Breaking News

Del ekspertiza mjeko-ligjore, Xhisiela Maloku u dhunua!

Del ekspertiza mjeko-ligjore, Xhisiela Maloku u dhunua!
September 28
14:42 2018

Xhisiela Maloku rezulton të jetë dhunuar me mjete të forta dhe ka shenja të djegies me cigare. Raporti i ekspertëve të Mjekësisë Ligjore që disponon “News 24” mbështet pretendimet e 25-vjeçares, e cila më 21 korrik të këtij viti denoncoi për dhunë ish të dashurin e saj Rexhep Rraja, djalin e deputetit të Partisë Socialiste, Rrahman Rraja.

Vajza e tërhoqi denoncimin dhe sipas ish-nënkomisarit Emiljano Nuhu, e bëri për shkak të presioneve. Megjithatë, dy muaj pas skandalit, ekspertët konfirmojnë faktin se Xhisiela ka qenë objekt dhune. Në dokument thuhet se vajza ka shenja dhune në shpatull, ndërsa djegie me cigare ne kofshë.

Dëmtimet e konstatuara në trupin e 25-vjecares, sipas ekspertëve të mjekësisë ligjore, hyjnë në kategorinë e dëmtimeve të cilat sjellin humbjen e aftësisë së përkohshme për punën në masën prej 9 ditësh.

Edhe motra e saj ka pohuar për oficerët e policisë gjyqësore, se ishte në dijeni që Xhisiela kishte debate me të dashurin e saj, por vetëm në një rast ka pasur zënkë mes tyre.

Dëshmia e tyre vjen menjëherë pas akuzave të forta që ish-nënkomisari Emiljano Nuhu bëri përmes një interviste me gazetarin Basir Çollaku, ku pretendon se është kërcënuar dhe rrahur në ambientet e stacionit të policisë nga njerëzit e Rexhep Rrajës, me qëllim që të mos firmoste arrestimin e këtij të fundit.

Sipas tij, kërcënimi ka ndodhur në praninë e kreut të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deputetit socialist Rrahman Rraja, si dhe kryebashkjakut të Krujës, Artur Bushi. /Blitz.al/

Fotot: Top Channel

Share