Deda sulmon Boden: “Luaje në kazinotë e Sharm-el-Sheik dhe le homologun e një vendi mik të priste”
Tashmë që Partia Demokratike është duke u përgatitur për të zhvilluar zgjedhjet e brendshme në parti më 22 korrik, vijojnë akuzat dhe kundërakuzat mes grupeve të krijuara brenda kësaj force politike.
Janë ata që mbështesin Bashën nga njëri krah, mbështetësit e Selamit në një krah tjetër, si dhe grupi i të pakënaqurve që udhëhiqet nga Astrit Patozi.
Këta të fundit kanë nisur një fushatë në të gjithë vendin ku takojnë demokratë dhe diskutojnë për problemet.
Një situatë të tillë nuk e ka kapërdirë aspak deputetja demokrate Albina Deda, e cila ka kritikuar madje dhe me akuza personale disa prej kundërshtarëve të Bashës.
Njëri prej atyre që e sulmon hapur është edhe ish-ministri i Financave, Ridvan Bode, të cilin nuk e përmend me emër, por e lë të kuptohet.
Reagimi
Jo formimi normal njerëzor e politik, por as pjesë të thartuara të subkoshiencës nuk imagjinoja të prodhonin kaq shumë vrer kundër Bashës dhe PD-së në kulmin e fushatës në parti.
Këta tipa po shfrytëzojnë të gjitha atributet dhe avantazhet e dhuruara nga demokratët, nga mundi dhe sakrifica e tyre deri në sublimitet.
Nga vende bregdetare e resorte luksoze ata po provojnë të fundmen kartë të armiqësisë ndaj njerëzve që i ngritën në nivele që as i meritonin dhe as i imagjinonin.
Kështu nuk veprojnë idealistët, por mosmirënjohësit dhe nihilistët.
Ata, në vend të kokuljes që dy humbje radhazi mbajnë “kontributin” e tyre, janë krekosur si gjeli maj plehu duke lëshuar fyerje, sharje e intriga.
Pafytyrësia në limite ekstreme, privimi gjenetik nga mirënjohja si cilësi humane është kategorizimi i këtyre burrave te paburrnia.
Ata nuk janë aspak qëndrestarë dhe as themeltarë të demokracisë, por bixhozxhinj në politikë e përditshmëri të mësuar të fitojnë për dy dekada vetëm “Bingo”.
Njëri prej tyre, ish-ministër, la të priste homologun e një vendi mik sepse nuk begenisi të lërë kazinonë e Sharm-el-Sheikut duke krijuar një precedent diplomatik të padëgjuar.
Dhe sot lyer me figura të shpëlara letrare shet moral!
Një tjetër që apelon për hunj e rrahje në PD njihet botërisht prej vitit 1992 si shpikës i kusarisë në post-diktaturë! /Blitz.al/