Blitz

 Breaking News

“Arrest shtëpie” për Odhise Andrean. Mori para në emër të gruas gjyqtare

“Arrest shtëpie” për Odhise Andrean. Mori para në emër të gruas gjyqtare
January 12
15:14 2017

Nga Anduena Llabani

Gjykata e Lartë vendosi të lërë të lirë bashkëshortin e gjyqtares së pezulluar të kësaj gjykate Majlinda Andrea. Kolegji penal vendosi të ndryshojë masën e sigurisë për të nga ai me arrest me burg në arrest shtëpie.

Ndaj tij Prokuroria e Përgjithshme kishte kërkuar mbajtjen në qeli. Odhise Andrea mundi t’i shpëtojë arrestit prej më shumë se 4 muajsh në arrati. Ai mohoi akuzat për korrupsion duke deklaruar se çdo gjë është e sajuar.

“Nuk kam bërë korrupsion, çdo gjë është e sajuar nga prokuroria. Shumën e parave që është filmuar e kam marrë borxh nga Petraq Dashi për një biznes që kam hapur më parë”,- ka deklaruar ai.

Mesnatën e së hënës, policia njoftoi dorëzimin e tij në Drejtorinë e Policisë Tiranë. Ai nuk ka pranuar të japë asnjë deklaratë në momentin e dorëzimit, ndërsa para gjykatës ka mbajtur qëndrim mohues për akuzat.

Gjyqtarja Majlinda Andrea dhe bashkëshorti i saj Odhise Andrea akuzohen nga prokuroria për një aferë korruptive në lidhje me një çështje prone. Sipas akuzës, ata kanë përfituar një shumë prej 50 mijë eurosh në këmbim të një vendimi në favor të njërës palë në gjykim.

Ishte Prokuroria e Përgjithshme e cila mbrëmjen e 16 korrikut 2016 deklaroi se një gjyqtare e Gjykatës së Lartë është përfshirë në një aferë korruptive.
Prokuroria e Përgjithshme tha në atë kohë se Gjykata e Lartë mori vendim për pezullimin e gjyqtares Majlinda Andrea, e cila nëpërmjet bashkëshortit të saj dyshohet se ka marrë një shumë prej 50 mijë eurosh për të influencuar në vendimin, ku gjyqtarja ishte anëtare e trupit gjykues.  /Blitz.al/

Share