Blitz

 Breaking News

Akuzohet se hodhi kapsollën kundër efektives, lihet në burg Daniel Drobaj

Akuzohet se hodhi kapsollën kundër efektives, lihet në burg Daniel Drobaj
November 26
18:56 2018

Gjykata e Tiranës ka dhënë masën e sigurisë “burg pa afat”, për 18-vjeçarin Daniel Drobaj.

18-vjeçari akuzohet se hodhi kapsollën e cila i dëmtoi rëndë gishtat efektives së “Shqiponjave” Ina Nuka gjatë protestës e cila degjeneroi në dhunë para Kuvendit ditën e enjte.

Daniel Drobaj, 18-vjeçari që akuzohet  se ka plagosur efektive Ina Nuka, ka dal sot para Gjykatës së Tiranës për tu njohur me masën e sigurisë.

Ne seancën që ka nisur pak më parë, Drobaj ka treguar nga kafazi i qelqtë dorën e fashuar, që duket se e ka të thyer. I riu pretendon se policia i ka thyer gishtat si hakmarrje për gjymtimin e polices në dorë.

Në ngarkim të këtij shtetasi do të referohen materialet pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprat penale “Plagosje e rëndë me dashje”,  “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe në manifestime të paligjshme”, “Prishje e rendit dhe qetësisë publike” si dhe “Goditja për shkak të detyrës”.

18-vjeçari që u arrestua më 23 nëntor, një ditë pas protestës para parlamentit ka mohuar kategorikisht se ka qenë ai që hodhi kapsollën që plagosi rëndë policen.

Gjykata e Tiranës  ka dhënë masën e sigurisë “Arrest me burg” ndaj tij duke pranuar kërkesën e prokurorisë.

“Theksoj se kam pasur vetëm tre kapsolla të cilat i kam ndezur dhe i kam hedhur në drejtim të llamarinave që rrethojnë namazjan që po ndërtohet. Ka pasur një moment që disa punonjës të policisë kanë dashur të më ndalonin në protestën e mësipërme dhe unë nuk kam pranuar të më fusnin në makinë duke e konsideruar veprimin e tyre të padrejtë. Ndërkohë mes nesh kanë ndërhyrë disa persona të tjerë dhe vetëm e kam gjendur veten në turmë dhe kam ikur me vrap. Rreth orës 19:30 të datës 23.11.2018 ka ardhur babai im, shtetasi Viktor Drobaj dhe pasi ka biseduar me avokatin jemi nisur për t’u dorëzuar në Komisariatin e Policisë nr.3, sa jam larguar nga banesa që unë kisha qëndruar, kanë ardhur forcat e policisë më kanë vënë pistoletën në kokë duke m’u prezantuar si punonjës policie pasi më kanë futur në makinë kanë ushtruar dhunë ndaj meje në të gjitha format dhe duke më sharë gjatë gjithë rrugës deri kur kemi përfunduar në Drejtorinë e Policisë Tiranë. Në ambientet e Drejtorisë Tiranë sjelljet kanë qenë korrekte dhe nuk është ushtruar asnjë dhunë”, thuhej në dëshminë e tij në polici të zbardhur nga “BalkanWeb”.

Share